Lidhje

Problemet ligjore të Presidentit Trump


Presidenti Donald Trump duket se po irritohet gjithnjë e më tepër nga sfidat e tij ligjore të cilat po tërheqin vëmendjen nga arritjet ekonomike dhe të politikës së jashtme. Trump iu ankua gazetarëve të premten se pyetjet rreth pagesës së aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels, dhe në lidhje me hetimet mbi ndikimin rus në zgjedhjet presidenciale, heqin vëmendjen nga sukseset ekonomike dhe zhvillimet që kanë zgjuar shpresat për një zgjidhje të mundshme me marrëdhëniet me Korenë e Veriut.

Presidentit Trump iu desh të përballej përsëri të premten me pyetjet rreth problemeve të tij ligjore.

“Ky vend tani po ecën aq mirë, dhe ju po merreni me gjueti shtrigash gjatë gjithë kohës ... vetëm për këtë doni të flisni” tha presidenti.

Trump vuri në pikëpyetje deklaratat e fundit nga avokati i tij i ri, Rudy Giuliani. Giuliani pati konfirmuar se presidenti kishte kompensuar avokatin personal Michael Cohen për pagesë që i dha aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels.

Giuliani foli për rrjetin Fox News.

“Kjo ishte për arsye personale. Presidenti ishte lënduar personalisht, jo politikisht, personalisht, po ashtu edhe zonja e parë, nga disa prej njoftimeve të rreme” tha ish-kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut.

Stormy Daniels ka thënë se pati një lidhje të shkurtër me Donald Trump në vitin 2006, gjë që presidenti e ka mohuar.

Muajin e kaluar, Trump mohoi se kishte qenë në dijeni të pagesës për Daniels.

Para Shtëpisë së Bardhë të premten, Trump kundërshtoi deklaratën e Rudy Giulianit.

“Rudy e di se është gjueti shtrigash. Ai filloi punë dje. Do ta marrë informacionin e duhur. Është njeri i mirë”.

Trump gjithashtu u tha gazetarëve se ai është i gatshëm të flasë me prokurorin e posaçëm Robert Mueller, për sa kohë që do të trajtohet në mënyrë të drejtë.

Por ndryshimet e vazhdueshme në shpjegimet që janë dhënë rreth problemeve ligjore të presidentit, vënë në pikëpyetje besueshmërisë e dëshmive që mund të japë presidenti në të ardhmen, thotë analisti ligjor Paul Schiff Berman.

“Nëse ndonjë prej këtyre procedurave gjyqësore vazhdon, deri në pikën ku presidentit i duhet të japë dëshmi, kjo në vetvete ka të ngjarë të bëhet problem për të” thotë analisti.

Të enjten, Trump bisedoi me udhëheqës fetarë në Shtëpinë e Bardhë.

Shumë të krishterë evangjelistë, përfshirë të përndershmin Franklin Graham, i mbeten besnikë presidentit, pavarësisht akuzave që vënë në pikëpyetje karakterin e tij.

“Unë nuk mendoj se ai u bë president gabimisht. Unë mendoj se Perëndia e ka vënë atë në këtë pozitë” thotë ai.

Sfidat ligjore të presidentit duket se e kanë thelluar ndarjen politike në vend gjatë udhëheqjes së tij, thotë vëzhguesi politik John Fortier.

“Të dyja palët i përmbahen me forcë qëndrimit të tyre. Unë sigurisht mendoj se nuk është mirë për presidentin të ketë të bëjë me këtë hetim, por mendoj se asnjëra palë nuk po ndryshon mendim. Nuk ka dalë asgjë e re që të bëjë ndonjërën nga palët të ndryshojë mendim dhe asnjë nga ne nuk e di sa mund të zgjasin hetimet”.

Sikur për të ilustruar ndasitë politike, presidenti Trump mori një pritje të ngrohtë gjatë takimit të Shoqatës Kombëtare të Armëve (NRA) në Dallas të premten, një kujtesë se baza e tij politike vazhdon ta mbështesë, pavarësisht shqetësimeve në rritje rreth rrezikut ligjor me të cilin ai mund të ballafaqohet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG