Lidhje

Francë, në ndjekje të autorit të sulmit në Strasburg


Në Francë vazhdoi një operacion masiv për kapjen e sulmuesit që hapi zjarr në tregun e famshëm të Krishtlindjes në qendër të qytetit Strasbourg. Zyrtarët patën njoftuar fillimisht se ishin vrarë tre persona, por më vonë qartësuan se viktimat ishin 2 dhe të plagosurit të paktën 12.

Policia shtriu operacionet në mbarë rajonin ndërsa Franca rriti nivelin e saj të sigurisë, duke shtuar sigurinë kufitare dhe prezencën policore në të gjitha tregjet e hapura për periudhën e Krishtlindjes.

Zona e krimit ishte rrethuar herët në mëngjes dhe autoritetet patën filluar një hetim me motiv terrorizmin për sulmuesin.

“I dyshuari është i njohur për shkeljet civile që ka kryer më parë në Francë dhe Gjermani, për të cilat edhe është dënuar”, informoi Ministri i Brendshëm, Cristophe Castaner.

Policia tha se sulmuesi u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë dhe arriti të largohej.

Emri i tij ndodhej në listën e ekstremistëve të dyshuar dhe gjithashtu kërkohej për t’u marrë në pyetje në lidhje me një grabitje.

Policia mendon se ai goditi qëllimisht civilët, ndërkohë që aty ndodheshin edhe ushtarë që patrullonin zonën.

Franca ka përjetuar sulme të mëparshme ekstremistësh. Shteti Islamik pretendoi autorësinë për dy netë sulmesh me armë dhe bomba në Paris në nëntor të 2015-ës, kur u vranë 130 persona. Vetëm pak muaj më parë një sulm me armë mori jetë njerëzish në selinë e një reviste satirike dhe u pasua nga një pengmarrje në një supermarket.

Në vitin 2016-të, një sulm me kamion në qytetin Nice la pas 86 viktima.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG