Lidhje

Ndryshimet demografike dhe konflikti izraelito-palestinez


Zyrtarët izraelitë thonë se numri i hebrenjve dhe arabëve në Tokën e Shenjtë, një territor që afërsisht shtrihet mes Detit Mesdhe dhe lumit Jordan, është i barabartë ose pothuaj i barabartë. Statistikat e popullsisë u përmendën para pak ditësh në një deklaratë parlamentare të Izraelit. Demografia është studiuar me kujdes nga izraelitët si dhe nga palestinezët, për shkak të pasojave të mundshme politike.

Ndërsa Izraeli i afrohet 14 majit, 70 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, marrëdhëniet e tij me palestinezët janë ende larg zgjidhjes. Udhëheqësit e Izraelit kanë bllokuar zgjidhjen me dy shtete, që do t'u jepte arabëve një shtet të veçantë. Por shumë izraelitë gjithashtu kundërshtojnë aneksimin e territoreve të pushtuara palestineze.

"A mund të imagjinoni se përveç popullsisë së varfër ultra-ortodokse hebreje dhe popullsisë së varfër myslimane në Izrael, ne mund të aneksojmë edhe pesë milionë njerëz tjerë të varfër? Kjo do të ishte vetëvrasje. Nuk mund ta përballojmë këtë", thotë Arnon Soffer, demograf në Universitetin e Haifas.

Një deklaratë parlamentare nga Izraeli e lëshuar të hënën thotë se Bregu Perëndimor, i njohur gjithashtu si Judea dhe Samaria, ka një popullsi prej së paku 2.5 milionë banorësh. Duke i shtuar afro 2 milionë palestinezët në Rripin e Gazës dhe pothuajse 2 milionë të tjerë në Izrael, numri total i arabëve në këtë zonë i afrohet atij të hebrenjve në Izrael, që është rreth 6.5 milion.

Kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor i kundërshtojnë shifrat palestineze, duke thënë se ato janë të fryra. Por sipas një regjistrimi palestinez, numri i arabëve në këtë zonë është edhe më i lartë sesa ai që citojnë zyrtarët izraelitë.

Demografia paraqet një dilemë për Izraelin. Ahmad Tibi, ligjvënës izraelito-arab, thotë se pa krijimin e një shteti palestinez, Izraeli mund të shkojë drejt zgjidhjes me një shtet, në të cilin arabët nuk do të jenë pakicë. Kjo do të thotë, thotë Tibi, që Izraeli do të duhet të zgjedhë midis të qënit një shtet hebraik ose një demokraci.

"Kjo është një sfidë për bashkësinë ndërkombëtare: të ushtrojë presion për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, duke i dhënë fund pushtimit ose të shkojë në drejtimin tjetër, aparteid ose një kryeministër arabo-palestinez në të ardhmen", thotë ai.

Disa studiues izraelitë paralajmërojnë se aneksimi i territoreve të pushtuara do të nënkuptonte fundin e shtetit hebraik.

"Unë këmbëngul se në momentin që ne do të aneksojmë Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, ne do të jemi pakicë dhe ky do të ishte fundi i ëndrrës zioniste. Pra, aneksimi i Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës do t’i jepte fund shtetit hebraik", thotë Arnon Soffer, demograf në Universitetin e Haifas.

Alternativa do të ishte mohimi i së drejtës së arabëve për të votuar në një shtet hebre, gjë që do të nënkuptonte fundin e demokracisë në Izrael.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG