Lidhje

Mungesa e konsensusit mbi sulmet kibernetike ruse


Uashingtoni vazhdon të flasë me një mori zërash mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të muajit të kaluar. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Bowman njofton se mungesa e konsensusit gjatë periudhës së tranzicionit të pushtetit presidencial mund të ndikojë në mënyrën se si Amerika përfundimisht do t’i përgjigjet sulmeve kibernetike të Rusisë.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka kundërshtuar publikisht vlerësimet e shërbimeve amerikane të zbulimit mbi sulmet kibernetike të Rusisë, që për Presindentin aktual është e pakuptueshme.

"Për aq kohë sa populli amerikan nuk mendon se profesionistët e CIAs, FBI-së, dhe të gjitha agjencive tona të zbulimit, shumë prej të cilëve kanë shërbyer në administratat e mëparshme dhe që janë republikanë, janë më pak të besueshme se rusët, atëherë njerëzit duhet t’i kushtojnë vëmendje asaj që agjencitë tona të zbulimit thonë," tha zoti Obama.

Disa këshilltarë të zotit Trump thonë se akuzat kundër Rusisë nuk janë aq të prera.

"Kinezët janë të mirë. Në hapësirën kibernetike ju duhet të maskoheni si dikush tjetër që të duket sikur sulmet kibernetike po ndërmerren nga një palë tjetër," tha ish-drejtori i CIA-s, James Woolsey.

"Është e dëmshme për vendin që presidenti i zgjedhur të mohoj akuzat kundër Rusisë për sulme kibernetike," tha ligjvënësi demokrat Adam Shif.

Demokratët theksojnë se zoti Trump do të duhet të mbështetet në agjencitë e kundërzbulimit kur të bëhet komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura.

"Ai po dëmton veten e tij dhe aftësinë e tij për të drejtuar vendin, pasi të fillojë mandatin. Ne në një pikë do të arrijmë në një krizë të sigurisë kombëtare," mendon zoti Shif.

"Unë mendoj se Putini është i lig, unë mendoj se rusët janë përgjegjës për sulmet e liga kibernetike në botë," shprehet ligjvënësi republikan Peter King.

Por disa ligjvënës republikanë ankohen se administrata e presidentit Obama ka akuzuar Rusinë, pa siguruar asnjë provë.

"Në qoftë se ata kanë prova, duhet t’i tregojnë ato. Ata nuk i kanë treguar ende," thotë zoti King.

"Ne do të ofrojmë dëshmi që nuk do t’i vënë në rrezik burimet dhe metodat tona. Por t’ju them të drejtën, shumica e informacioneve mbi sigurinë kibernetike janë sekrete," shprehet Presidenti Obama.

Pavarësist provave që do të mblidhen, një reagim afat-gjatë ndaj sulmeve kibernetike ruse dhe siguria kibernetike e Shteteve të Bashkuara në përgjithësi, do të jetë përgjegjësi e administratës Trump.

XS
SM
MD
LG