Lidhje

Sulmet seksuale në universitete


Çështja e sulmeve seksuale në universitete amerikane është bërë një temë e nxehtë debatesh gjatë muajve të fundit. Kohët e fundit, Fakulteti Juridik i Universitetit të Harvardit arriti një marrëveshje me Departamentin e Arsimit për të miratuar një standard të ri për hapjen e hetimeve për akuzat lidhur me sulme dhe ngacmime seksuale. Rregullorja e re është përshëndetur nga disa, por kritikuar nga të tjerë si një politikë që nuk respekton praktika të drejta.

Zyra për të Drejta Civile e Departamentit të Arsimit njoftoi në dhjetor se kishte arritur në përfundimin se Fakulteti Juridik kishte shkelur Nenin IX, një ligj federal që ndalon diskriminimin gjinor në institucione arsimore që marrin fonde federale.

Departamenti i Arsimit hapi një proces hetimor kryesisht pasi studentë të këtij universiteti kishin paraqitur ankesa. Catherine Lhamon, Ndihmës Sekretare për Çështjet e të Drejtave Civile tha se procedurat që ndiqte ky fakultet nuk përmbushnin kërkesën ligjore për hetime të menjëhershme dhe efektive.

“Përfundimet e analizës sonë tregojnë se fakulteti juridik kishte përdorur standarde të parregullta në hetimin e akuzave për ngacmime dhe sulme seksuale. Ata gjithashtu nuk kishin trajnuar si duhet personelin që merrej me hetimin e ankesave”.

Fakulteti Juridik i Universitetit Harvard përdorte standarde që Departamenti i Arsimit i cilësoi si “të vjetëruara”, të cilat kërkonin garanci në masën 75% se sulmi kishte ndodhur.

Sapo u bënë publike rezultatet e analizës së qeverisë federale, Universiteti Harvard ra dakord që standardet e reja do të bazoheshin në 50% garanci që sulmi kishte ndodhur.

Martha Minow, dekane e Fakultetit Juridik thanë se marrëveshja e arritur me Departamentin e Arsimit pranon se universiteti ka marrë masa për të identifikuar mangësitë në politikat e tij dhe për të krijuar një mjedis ku të gjithë të ndjehen të pacënuar nga ngacmimet seksuale.

Standardet e reja u përshëndetën në shumë qarqe. Juristja Wendy Murphy thotë se ndryshimet në Fakultetin Juridik të Harvardit janë hap i rëndësishëm për vetë imazhin që ka ky universitet.

“Nëse Harvardi mbahet përgjegjës dhe ndryshon politikat në një mënyrë që njeh statusin e barabartë të gruas si dhe tregon angazhim për sigurinë e vajzave në universitete, kjo jep jehonë të menjëhershme, pasi Harvardi është jo vetëm një universitet cilësor akademik, por edhe institucion me emër”.

Por jo të gjithë i kanë mbështetur ndryshimet. Një letër nga 28 pedagogë të këtij universiteti shprehet se procedurat e reja nuk përmbajnë elementet bazë të drejtësisë dhe mbrojtjes për individët që akuzohen për ngacmim apo sulm seksual.

Elizabeth Bartholet është profesoreshë e juridikut në Harvard. Ajo thotë se shqetësimi kryesor është se procedurat e reja janë shumë të paqarta:

“Ta zëmë dy studentë dalin një mbrëmje, ulen për një pije dhe më pas kanë marrëdhënie seksuale. Më pas njëri prej tyre mund të vendosë të ankohet për ato që ndodhën. Termat e paqarta të procedurës së re, e cila nuk ofron mbrojtje për akte të ndërmarra me konsensus, i ekspozojnë studentët ndaj një rreziku të pamerituar”.

Vëmendja që media u ka kushtuar disa rasteve të fundit të sulmeve seksuale në universitete e ka bërë këtë çështje një temë të nxehtë që do të vazhdojë të ushqejë debate kombëtare.

XS
SM
MD
LG