Lidhje

Sulmi kimik në Siri shkakton zemërimin e Presidentit Trump


Duke filluar që nga Presidenti Trump, zyrtarët amerikanë kanë shprehur indinjatën e tyre ndaj sulmit me armë kimike në Siri dhe kanë sugjeruar se po shqyrtohet ndërmarrja e veprimeve ndëshkuese ndaj regjimit të Presidentit sirian Bashar al-Assad, në rrugë ndërkombëtare ose edhe vetëm prej SHBA-së.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Mbretin e Jordanisë Abdullah në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump tha dje se sulmi “nuk mund të tolerohet”. Ai nuk përjashtoi përdorimin e forcës ndëshkimore, dhe paralajmëroi se përdorimi i armëve kimike mbi civilët “ka tejkaluar disa vija të kuqe”.

“Sulmi aq i tmerrshëm me armë kimike në Siri që u bë ndaj njerëzve të pafajshëm, ndër ta gra dhe fëmijë, madje edhe foshnja të bukura – vdekjet e tyre janë një fyerje e njerëzimit”, tha Presidenti. “Këto veprime të urryera të regjimit të Assadit nuk mund të tolerohen”.

Megjithëse pranoi se tashmë ai është në krye të punëve në Uashington, Presidenti Trump fajësoi pjesërisht për kaosin në Siri paraardhësin e tij, Barack Obama, i cili mbahet mend se kërcënoi të përdorë forcën ushtarake në përgjigje të një sulmi kimik në vitin 2013 në Siri, por nuk veproi kështu.

“Mendoj se administrata Obama pati një mundësi të rrallë për ta zgjidhur këtë situatë kohë më parë, kur ai foli për vijën e kuqe. Dhe kur ai nuk veproi pas tejkalimit të asaj vije, kjo na dëmtoi në shumë mënyra jo vetëm në Siri, por edhe në pjesë të tjera të botës, pasi ishte një kërcënim bosh”, tha Presidenti Trump.

Në vitin 2013, zoti Trump pati shkruajtur një sërë mesazhesh në Twitter, ku i bënte thirrje Presidentit Obama të mos sulmonte Sirinë. Në një prej mesazheve të tij shkruhej: “E vetmja arsye pse Presidenti Obama dëshiron të sulmojë Sirinë, është për t’iu shmangur turpit nga deklarata e tij e trashë për VIJËN E KUQE. MOS e sulmo Sirinë, ndreq Amerikën.”

Kur u pyet dje nëse kishte ndonjë plan veprimi për t’u përballur me këtë sulm të ri kimik, Presidenti Trump u tregua i kujdesshëm për të mos dhënë detaje.

Edhe monarku i Jordanisë e dënoi sulmin, duke e quajtur atë “një dëshmi e dështimit të diplomacisë ndërkombëtare për të gjetur zgjidhje për këtë krizë (në Siri)”.

Më herët në OKB, ambasadorja amerikane Niki Haley fshikulloi komunitetin ndërkombëtar për mosveprimin në të kaluarën përballë mizorive, dhe u duk se dha tregues që SHBA-ja do të veprojë, me apo pa përgjigje ndërkombëtare.

“Kur Kombet e Bashkuara dështojnë vazhdimisht të kryejnë detyrën e veprimit kolektiv, atëherë ka momente kur vendet anëtare janë të detyruara të veprojnë vetë”, paralajmëroi zonja Haley. “Për hir të viktimave, shpresoj që pjesa tjetër e Këshillit të ketë vullnetin të bëjë të njëjtën gjë”.

Ambasadorja Haley kritikoi posaçërisht aleaten kryesore të Sirisë, Rusinë, e cila ka përdorur veton në Këshillin e Sigurimit për të parandaluar miratimin e pjesëve të rezolutave që do të dënonin përdorimin e armëve kimike nga Siria. Zonja Haley tha se: “Assadi nuk ka asnjë arsye pse të ndalojë përdorimin e armëve kimike, për sa kohë që Rusia mbron regjimin e tij nga pasojat”.

Komentet e saj bëhen vetëm një ditë pasi ajo kishte thënë se SHBA-ja nuk është e fokusuar tek heqja e Assadit nga pushteti.

Ndërkohë, udhëheqësit evropianë patën reaguar me këmbëngulje se Assad duhet të largohet nga pushteti dhe se nuk ka asnjë të ardhme në qeverisjen e Sirisë. Kryeministrja britanike Theresa May pati kërkuar nga të gjitha palët që të mundësojnë një tranzicion pa Assadin.

“Fjalët dhe veprimet e vetë Presidentit Trump sugjerojnë se nëse ai do të dojë ta diferencojë veten nga paraardhësi i tij, atëherë duhet të ndërmarrë veprime”, thotë Robert Satloff, i Qendrës së Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërme. “Pra, nëse nuk vepron, do të jetë një tregues se ai do të vazhdojë politikat e administratës Obama. Kjo nuk mund të jetë një ide që do ta ushqente Shtëpia e Bardhë e zotit Trump.”

Zoti Satloff thotë se incidenti me armët kimike përbën një sfidë madhore për marrëdhënien që po lind ndërmjet Shtëpisë së Bardhë së zotit Trump dhe Kremlinit.

“Nëse rusët vazhdojnë t’i përmbahen marrëzisë se janë vetë rebelët përgjegjës për armët kimike, kjo krijon vërtet dyshime për mundësinë e partneritetit ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë”, thotë zoti Satloff.

Robert Danin, i Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë, e quan këtë një moment përcaktues në evoluimin e politikës së Presidentit Trump për Lindjen e Mesme.

“Ajo çfarë po shohim është transformimi, arsimimi dhe evoluimi i zotit Trump për të kuptuar se kush është roli i Amerikës në Lindjen e Mesme. Ai erdhi në pushtet për dëshirën për të kufizuar përfshirjen e Amerikës në Lindjen e Mesme, dhe mendoj se po kupton me shpejtësi se kjo është diçka shumë më e vështirë se sa e kishte menduar”, thotë zoti Danin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG