Lidhje

Ndeshja finale e futbollit amerikan


Ngjarja më e madhe sportive e Amerikës, finalja e futbollit amerikan, apo siç njihet këtu “Super Bowl”, ka tifozë të shumtë në gjithë botën. Ndeshjea finale mes ekipeve Broncos të Denverit dhe Seahawks të Seattles, që zhvillohet të dielën, do të ndiqet nga shikues në mbarë botën.

Kjo është finalja e parë, në historinë e Ligës Kombëtare të Futbollit amerikan që zhvillohet në një stadium të hapur, në mes të dimrit. Ndeshja zhvillohet në stadiumin MetLife në shtetin e Nju Xhërzit, në periferi të qytetit të Nju Jorkut dhe media nga e gjithë bota është në pranishme në këtë aktivitet, që do të transmetohet në më shumë se 200 vende të botës.

Super Bowl-i është ngjarja më e madhe për median në të gjitha sportet amerikane, por nuk janë vetëm sportdashësit amerikanë, që kërkojnë mbulimin e kësaj ndeshjeje.

“Super Bowl-i është një ngjarje e madhe, diçka që njihet në gjithë botën. Edhe nëse njerëzit nuk janë tifozë të Ligës së futbollit amerikan, ata janë në dijeni të Super Bowl-it. Super Bowl-i është një mundësi e madhe për ne, është me të vërtetë një pasqyrim i Ligës Kombëtare të Futbollit dhe na jep ne mundësinë që të tërheqim një audiencë të madhe dhe të re nëpër botë”.

Stadiumi i Nju Xhërzit është tashmë plot me mjete shtypi nga e gjithë bota për të transmetuar ndeshjen në më shumë se 200 vende. Më shumë se 500 stacione televizive nga e gjithë bota do të mbulojnë ndeshjen. Disa prej tyre i thanë Zërit të Amerikës se Super Bowl-i tërheq audienca të mëdha në vendet e tyre.

“Ne kemi shikueshmëri të mirë dhe në Moskë të gjitha baret sportive janë plot me tifozë”.

“Në Angli dhe në gjithë Evropën ndeshja e futbollit amerikan është transmetuar për dekada me radhë, megjithëse kohët e fundit Liga Kombëtare e Futbollit amerikan po i kushton më shumë vemendje transmetimit të kësaj ndeshjeje nëpër botë”.

“Në Meksikë, 4-5 ekipet që janë shumë popullore në vendin tonë janë Steelers i Pittsburghut, Cowboys të Dallasit, por edhe Broncos të Denverit, dhe 49ers të San Franciscos”.

Të njohura nuk janë vetëm ekipet, por edhe lojtarët. Si për shembull, Peyton Manning, pasuesi, ose lojtari organizator i ekipit Broncos, ka shumë tifozë në Japoni.

“Ai është shumë i njohur dhe ne jemi shumë të interesuar të shikojmë se si do të luajë kundër ekipit Seahawks”.

Me rreth 1 miliardë tifozë në gjithë botën, që shikojnë Super Bowl-in, Liga Kombëtare e Futbollit amerikan mund të jetë e prirur ta shtrijë këtë sport në pjesë të tjera të globit.
XS
SM
MD
LG