Lidhje

Padia në Gjykatën e Lartë pas refuzimit të porosisë nga pastiçeria


Anëtarët e Gjykatës së Lartë dëgjuan argumentet që lidhen me një prej lëndëve më të rëndësishme që po merr në shqyrtim Gjykata këtë vit. Dje gjykatësit iu rikthyen çështjes pesë vjeçare nëse një biznes privat është i detyruar t’u shërbejë dy burrave që kanë porositur kek për dasmën e tyre. Argumentet lidhen me të drejtën e besimit, pasi pronari i biznesit thotë se duke u shërbyer dy burrave homoseksualë që duan të martohen, ai shkel bindjet e tij fetare, ndërkohë që çifti këmbëngul se kundërshtimi i tij përbën diskriminim:

Çifti homoseksual nga Kolorado e ka ngritur padinë mbi pretendimin se duhet të kenë të drejtën të blejnë kekun e dasmës në pastiçerinë Masterpiece Cakeshop:

“Fillova të qaj, po ashtu edhe Charlie. Ndjeheshim të vrarë, të refuzuar, si qytetarë të dorës së dytë në shoqërinë tonë. Duam që njerëzit ta dinë se kjo nuk është histori abstrakte. Bëhet fjalë për dhimbje reale që ndjejnë njerëz realë. Gjëra që përjetojnë përditë pjesëtarë të komunitetit homoseksual e transgjinor në këtë vend,” thotë klienti David Mullins.

Pronari i pastiçerisë thotë se ai është stilist për ëmbëlsira, pra si artist nuk është i detyruar të respektojë ligjet e shërbimit për klientelën:

“Vështirë ta besosh se qeveria më detyron të zgjedh: ose të punoj që të mbaj familjen ose të thyej mësimet e Zotit. Kjo s’është liri, nuk është tolerancë. Jam shumë mirënjohës ndaj Gjykatës së Lartë që e mori në shqyrtim këtë rast dhe shpresoj e lutem që ata do të riafirmojnë lirinë e artistit për t’u shprehur në mënyrën që përputhet me ndërgjegjen e tij,” thotë pronari i pastiçerisë, Jack Phillips.

Çështja është paraqitur në Gjykatën e Lartë nga Phillips dhe përkrahësit e tij, pasi Gjykata e Apelit në Kolorado mbajti në fuqi vendimin e mëparshëm që i kërkon pastiçerisë Masterpiece Cakeshop të ofrojë produkte për dasmat e homoseksualëve dhe të ndryshojë politikat e kompanisë që të përputhen me këtë vendim.

Nuk pritet që Gjykata e Lartë të japë vendimin e saj para fundit të këtij viti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG