Lidhje

Suedia zhvillon kërkime nën ujë


Ushtria e Suedisë është duke zhvilluar kërkime në ujërat e saj pranë kryeqytetit Stokholm, pas dallimit të "veprimtarive të huaja nënujore", ndoshta një nëndetëse e dëmtuar ruse.

Vendi nordik, jo anëtar i NATO-s, ka dërguar më shumë se 200 trupa, anije të pakapshme nga radarët, minapastrues dhe helikopterë për të kërkuar, siç janë shprehur autoritetet, një "objekt të bërë nga njeriu", të zbuluar të premten.

Suedia e ka përshkruar kërkimin 50 kilometra në lindje të kryeqytetit suedez si një "operacion zbulimi", me mobilizimin më të madh të vendit që nga Lufta e Ftohtë:

"Mund të jetë një nëndetëse ose një nëndetëse e vogël. Mund të jetë një zhytës duke përdorur ndonjë formë pajisjeje nënujore me motor ose mund të jenë disa zhytës që nuk duhet të jenë në territorin tonë. Këto janë mundësitë e asaj që mund të jetë aktivitet i huaj nën ujë.''

Rusia mohoi dje të kishte ndonjë nga nëndetëset e saj të përfshira në këtë incident.

Por gazeta suedeze Svenska Dagbladet njoftoi se kërkimet po përqendrohen në mundësinë e një nëndetëseje ruse të dëmtuar rëndë.

Gazeta tha se ushtaria suedeze kishte kapur sinjale radio nga brigjet e Suedisë në Kaliningrad, ku ndodhet një pjesë e madhe e flotës detare të Rusisë në Detin Baltik dhe se sinjalet ishin transmetuar në një frekuencë të veçantë urgjence.

XS
SM
MD
LG