Lidhje

Bisedime Annan-Assad


I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për paqen në Siri, Kofi Annan shkoi në Damask, ku bisedoi me Presidentin Bashar al Assad mbi mënyrat për t’i dhënë fund dhunës mes forcave opozitare dhe atyre qeveritare. Pas takimit ai bërë disa komente për gazetarët:

I dërguari ndërkombëtar Kofi Annan u takua me presidentin sirian Bashar al Assad, për bisedime të cilat diplomati i Kombeve të Bashkuara i cilësoi “konstruktive dhe të sinqerta”. Zoti Annan i tha gazetarëve në Damask se kishte biseduar me udhëheqësin sirian mbi mënyrat për t’i dhënë fund dhunës mes forcave të opozitës dhe atyre të qeverisë. Ai shtoi se ata kishin rënë dakord lidhur me një qëndrim që ai do t’ja bënte të njohur edhe opozitës së armatosur.

“Diskutuam mbi nevojën për t’i dhënë fund dhunës dhe mbi mënyrat dhe mjetet për të arritur këtë objektiv. Ramë dakord, lidhur me një qasje të cilën unë do ta ndaj edhe me opozitën e armatosur. Po ashtu unë theksova rëndësinë e çuarjes përpara të dialogut politik, të cilin Presidenti Assad e pranon. Çështje tjetër për të cilën ne diskutuam ishte plani 6 pikësh.”

Zoti Annan është përpjekur për muaj me radhë për të zbatuar planin e paqes në Siri, por ka pranuar që përpjekjet ndërkombëtare që bëjnë thirrje për negociata mes opozitës dhe qeverisë kanë dështuar.

Ndërkohë, udhëheqësi i opozitës siriane, Michel Kilo u takua sot në Moskë me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, për të diskutuar mbi mënyrat për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Siri.

"Pala ruse e kuptoi madje shumë mirë, çfarë u thamë dhe ne e kuptuam mirë ato që ata na thanë. Mendoj se ishte një dialog tepër i efektshëm dhe produktiv. Siç e dini, Rusia është një vend shumë i rëndësishëm për ne, për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për krizën ku ndodhemi dhe shpresoj se ajo do të luajë një rol pozitiv në të ardhmen. Ju faleminderit shumë.”

Në një intervistë që dha për televizionin gjerman, zoti Assad i akuzoi Shtetet e Bashkuara, Turqinë, Arabinë Saudite dhe Katarin, se po pengojnë paqen dhe po mbështesin ata që ata i cilësoi “terroristë”. Kombet e Bashkuara duan që hetuesit e pavarur të hetojnë akuzat e zotit Assad se terroristët dhe jo qeveria janë përgjegjës për dhunën në Siri.

Një zyrtar i lartë rus i mbrojtjes thotë se Moska nuk do t’i shesë më armë Sirisë deri sa atje situata të qetësohet. Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera po i bëjnë trysni Moskës të ndalë bashkëpunimin me Damaskun, duke thënë se kjo po ndihmon në shtypjen e opozitës siriane.


XS
SM
MD
LG