Lidhje

Ministrat e Jashtëm të BE-së, shqetësim për situatën në Siri


Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian shprehën sot shqetësim rreth situatës në Siri ndërsa po mblidheshin për një takim të rregullt në Bruksel. Komentet vijnë pas bombardimeve të reja që u ndërmorën të dielën në rajonin e Ghoutas Lindore të mbajtur nga kryengritësit. Sulmet ajrore janë intensifikuar, pavarësisht një rezolute të Kombeve të Bashkuara gjatë fundjavës që bën thirrje për një armëpushim 30-ditor.

Shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini u bëri thirrje tre garantuesve të procesit të paqes në Siri, Rusisë, Iranit dhe Turqisë, për të garantuar vendosjen e zonave të shtensionimit.

"Në përgjithësi, unë jam jashtëzakonisht e shqetësuar, edhe ministrat, për shtimin e operacioneve ushtarake në të gjithë Sirinë, nga aktorë të ndryshëm. Natyrisht, para së gjithash nga regjimi dhe mbështetësit e tij, dhe ka një përgjegjësi të veçantë sidomos nga tre garantuesit e procesit të paqes,” tha zonja Mogherini.

Bombardimet e reja në Ghoutan lindore i fundit vijnë pas një vote të Këshillit të Sigurimit në favor të një armëpushimi prej 30 ditësh.

Menjëherë pas miratimit të rezolutës, Ambasadorja e SHBA Nikki Haley veçoi Rusinë, duke kritikuar ashpër homologët e saj rusë për vonesën e votimit.

"Çdo minutë që ky Këshill priste për Rusinë, vuajtjet njerëzore shtoheshin. Dhe megjithë këtë pritje, zor se rezolutës iu shtua ndonjë gjë, përveç disa fjalëve dhe presjeve. Njerëzit në Siri nuk duhet të vdesin duke pritur që Rusia të dërgojë udhëzimet nga Moska. Ose për t’i diskutuar ato me sirianët".

Presidenti sirian Bashar al-Assad, i mbështetur nga Rusia dhe Irani, është rikthyer gradualisht në zonat ku kundërshtarët u ngritën kundër sundimit të tij në vitin 2011. Ghouta Lindore është bastioni i fundit i madh kryengritës pranë Damaskut.

Ndërkaq, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov hodhi poshtë të hënën akuzat se forcat besnike ndaj udhëheqësit sirian duhen fajësuar për një sulm me klor në Ghoutan lindore. Ai tha se këto pretendime janë një provokim që synon sabotimin e një armëpushimi në këtë zonë.

Bombardimi i Ghoutas lindore gjatë javës së kaluar ka qenë një nga më të rëndët e luftës shtatëvjeçare në Siri. Sipas statistikave të hartuara nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Britani, një monitor i luftës në Mbretërinë e Bashkuar, në vetëm shtatë ditë janë vrarë të paktën 522 njerëz.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG