Lidhje

Marrëveshja për paqe në Siri


Siria thotë se e pranon planin për armëpushim të propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. Plani synon të ndalë luftimet mes forcave qeveritare dhe atyre opozitare, por nuk parashikon ndalim sulmesh kundër grupeve terroriste si ISIS dhe al-Nusra.

Qeveria siriane tha sot se ushtria do të vazhdojë operacionet kundër Shtetit Islamik dhe grupeve që kanë lidhje me al-Kaidën.

Në komentet në Moskë, Presidenti rus Vladimir Putin tha për gazetarët se marrëveshja SHBA-Rusi nuk u referohet grupeve terroriste:

“Opozita do të ndalë luftimet kundër forcave qeveritare dhe grupeve që mbështesin qeverinë. Për sa i përket ISIS dhe Frontit al-Nusra si dhe organizatave të tjera terroriste, të njohura si të tilla nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ato janë plotësisht të përjashtuara nga marrëveshja. Sulmet ndaj tyre do të vazhdojnë”.

Në komentet për gazetarët në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Mark Toner tha se mbikqyrja e respektimit të marrëveshjes nuk do të jetë e lehtë:

“Është mjedis problematik, por mendoj se nëse fillon zbatimi i marrëveshjes, nëse vëmë në zbatim mekanizmat, megjithëse nuk ka garanci se do të funksionojë më së miri që në ditën e parë, mund të arrijmë të identifikojmë shkeljet dhe shkaktarët e tyre”.

Në Damask banorët ushqejnë shpresë, megjithëse shumë prej tyre nuk janë optimistë për suksesin e planit.

“Shpresojmë që të funksionojë, por nuk kam shumë shpresa,” thotë banori Jaser Dada.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia thonë se në bazë të marrëveshjes, përdorimi i forcës do të jetë i kufizuar në raste që lidhen me vetëmbrojtjen dhe se grupet e ndihmave do të kenë liri lëvizjeje të pakufizuar për të arritur tek personat në nevojë.

XS
SM
MD
LG