Lidhje

Vritet ministri sirian i mbrojtjes


Në disa lagje të Damaskut, forcat siriane dhe kryengritësit po shkëmbejnë zjarr, pasi tre anëtarë të qeverisë së Presidentit Bashar al Assad u vranë si pasojë e një sulmi me bombë.

Televizioni shtetëror sirian thotë se një bombë shpërtheu në godinën e Sigurisë Kombëtare në Damask, duke vrarë ministrin e mbrojtjes Daoud Rajha dhe zëvendës ministrin Assef Shawkat, kunat i Presidentit Bashar al-Assad.

Sipas njoftimeve, edhe gjenerali sirian Hassan Turkmani, ish-ministër i mbrojtjes vdiq nga plagët e shkaktuara nga sulmi.

Grupi kryengritës Ushtria e Lirë siriane mori përgjegjësinë për sulmin, nga i cili u plagosën rëndë disa zyrtarë të tjerë që po merrnin pjesë në një takim të nivelit të lartë. Sipas agjencisë Reuters, edhe një grup tjetër kryengritës Liwa al-Islam po merr përgjegjësinë.

Ndërkohë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara shtyu një votim për një rezolutë të re për Sirinë, pas sulmit të sotëm me bombë.

Votimi për rezolutën e propozuar nga vendet perëndimore që parashikonte sanksione ndaj Sirisë do të mbahet nesër. I dërguari i OKB-së dhe Lidhjes Arabe Kofi Annan e kërkoi shtyrjen pasi tha se besonte që një kompromis me Rusinë ishte ende i mundshëm.

Rusia mbështet një rezolutë alternative që nuk parashikon sanksione.
XS
SM
MD
LG