Lidhje

Fillojnë bisedimet e paqes për Sirinë


Ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara Lakhdar Brahimi tha se do të takohet të enjten më vete me opozitën siriane dhe delegacionin e qeverisë, para së premtes, kur të dyja palët do të mblidhen së bashku për të biseduar që t’i jepet fund luftës civile të përgjakshme të Sirisë.

Zoti Brahimi foli sot në një konferencë shtypi, pas bisedimeve në rang ministror me pjesëmarrjen e 30 vendeve, që u mbajtën në qytetin Montrë të Zvicrës. Ai tha se ka tregues të qartë se palët janë gati të diskutojnë për shkëmbimin e të burgosurve, ndihmat humanitare dhe ndalimin e luftimeve lokale.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon i tha të dyja palëve se i duhet dhënë fund medoemos konfliktit, për të cilin ai tha se e ka shndërruar Sirinë në një çerdhe për ekstremistët dhe terroristët e huaj.

Sekretari Shtetit John Kerry po ashtu dha konferencë shtypi, ku tha se nuk ekziston mundësia që presidenti sirian Bashar al Assad të mbetet në pushtet, duke e cilësuar atë “magneti më i madh për terroristët në rajon.”

Zoti Kerry fajësoi forcat e zotit Assad për vrasjen e mijëra sirianëve, duke përdorur urinë si një armë lufte dhe krime të tjera lufte që ai mendohet të ketë kryer. Sekretari Kerry tha se Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin popullin sirian në çdo hap.

E ardhmja politike e Presidentit sirian, Bashar al-Assad ka qënë një pikë përçarëse ndërsa delegacionet nga më shumë se 30 vende, Kombet e Bashkuara dhe palët ndërluftuese të Sirisë, hapën sot konferencën e paqes në Zvicër.

Ndërkohë, udhëheqësi i opozitës siriane, Ahmed al Jarba përsëriti kërkesën e palës së tij lidhur me të ardhmen e presidentit sirian.

“Çdo lloj bisedimesh për qëndrimin në pushtet të Assadit në çfarëdo lloj forme, do të ishte një shmangie nga korniza e përcaktuar në konferencën e parë të Gjenevës, prandaj ne këmbëngulim se nuk mund të diskutojmë mbi asgjë tjetër para se kjo çështje të përcaktohet qartë dhe me afate të sakta”.

Ministri i Jashtëm sirian, Walid al-Moallem iu përgjigj Sekretarit Kerry, duke thënë se vetëm sirianët kanë të drejtë të zgjedhin presidentin e tyre.

Edhe ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov përsëriti qëndrimin e vendit të tij se vendet e tjera nuk duhet të ndërhyjnë në punët e brendshme të Sirisë.

Sekretari i Përgjithëm i OKB-së, Ban Ki-moon e hapi konferencën e Zvicrës duke thënë se sfida për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore është shumë e vështirë.

“Ne e dimë se ka qenë një rrugë shumë e vështirë që të arrijmë në këtë pikë. Ne kemi humbur kohë të vlefshme dhe shumë jetë njerzish. Dua të shprehem qartazi: sfidat para jush dhe të gjithë neve, janë shumë të vështira. Sidoqoftë prania juaj ngjall shpresa”.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë kryesuar përpjekjet për të organizuar bisedimet mbi bazat e një marrëveshjeje të arritur në konferencën e vitit 2012. Kjo marrëveshje përfshin një seri hapash, mes tyre krijimin e një qeveria kalimtare nëpërmjet negociatave, një armëpushim dhe angazhimin për të lejuar punën pa ndërprerje të organizatave humanitare.

Konflikti në Siri filloi në mars të vitit 2011, me protesta paqësore para se të përshkallëzohej në luftë civile, e cila, sipas Kombeve të Bashkuara, ka shkaktuar mbi 100 mijë të vrarë dhe ka detyruar gati 9 milionë njerëz të braktisin shtëpitë e tyre.
XS
SM
MD
LG