Lidhje

Bisedimet në Vjenë për Sirinë


Fuqitë botërore që po takohen në Vjenë për të diskutuar rreth së ardhmes politike të Sirisë, kërkojnë arritjen e një armëpushimi që do të hyjë në fuqi më 1 janar dhe do të pasohet nga një tranzicion politik dhe zgjedhje të reja.

Vëmendja ndaj bisedimeve të Vjenës është zhvendosur tashmë për shkak të sulmeve terroriste në Paris dhe udhëheqësit po diskutojnë për një përpjekje të re të përbashkët kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik në rajon.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp pas bisedimeve të sotshme, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha se “vendosmëria jonë për të eliminuar këtë kolerë vetëm rritet përballë një brutaliteti të tillë”.

Zoti Kerry tha se përfaqësuesit nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara, Lidhja Arabe dhe 17 vende të tjera ranë dakort për nevojën e një procesi politik gjithëpërfshirës në Siri, krahas vendosjes së një armëpushimi. Procesi do të përfshijë përfaqësues të regjimit të Presidentit sirian Bashar al-Assad, si dhe të një spektri të gjerë të grupimeve të opozitës.

Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, tha se gjakderdhja në Paris tregon domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve kundër terrorizmit.

“Duhet të shikojmë se çfarë hapash konkretë duhen ndërmarrë për të forcuar dhe koordinuar veprimet ndërkombëtare kundër terrorizmit”, - tha zoti Fabius përpara se të largohej nga Vjena. Ai do të zëvendësojë Presidentin Hollande në takimin e së dielës në Turqi, të krerëve të shteteve të grupit G-20.

Presidenti Hollande tha se situata e rënduar në Francë e bën të pamundur pjesëmarrjen e tij në takimin që do të zhvillohet në Antalya, të Turqisë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe udhëheqës të vendeve të tjera me ekonomitë më të zhvilluara të botës, do të marrin pjesë në takim, për të cilin janë marrë masa të shtuara sigurie.

XS
SM
MD
LG