Lidhje

OKB konfirmon shkatërrime të reja në Palmira


Kombet e Bashkuara thanë se militantët e IS-it kanë vazhduar shkatërrimet në zonën historike dymijë vjeçare në Siri

Kombet e Bashkuara thanë se pamjet satelitore konfirmojnë se militantët e grupit Shteti Islamik, hodhën në erë një tempull tjetër antik në qytetin historik sirian të Palmiras.

Një agjenci e Kombeve të Bashkuara postoi pamje të marra më 27 gusht dhe të bëra të hënën, një ditë pasi që vëzhguesit sirianë thanë se tempulli është shkatërruar.

Por, përfaqësuesi sirian për antikat Maamoun Abdulkarim, beson që të paktën disa pjesë të tempullit janë ende në këmbë. Ai tha të hënën se ka pasur një shpërthim të madh në zonë, por askush nuk ka qenë në gjendje të afrohet për të konfirmuar nëse ndonjë pjesë e tempullit i ka mbijetuar shpërthimit.

Tempulli i Belit është rreth dy mijë vjet i vjetër dhe sirianët e cilësojnë atë si një nga tempujt më të rëndësishëm të vendit.

Javën e kaluar militantët postuan në rrjetet sociale, pamje të shkatërrimit të Baal Shamin, një tempull tjetër antik në Palmira. Kombet e Bashkuara e cilësuan shkatërrimin një krim lufte.

Arkeologët e historianët u shprehën të zemëruar, ndërsa qytetarët sirianë shprehen të dëshpëruar me shkatërrimin sistematik të historisë dhe trashëgimisë së vendit.

Historiani Manar Hammad, i cili ka kaluar katër vjet duke punuar në katalogët e gërmadhave në Palmira, i tha Zërit të Amerikës se “është shumë e vështirë të flitet për shkatërrimin e një zonë aq të dashur” për të, duke nënvizuar se Tempulli i Belit ishte ruajtur për shumë shekuj, meqë ishte përdorur “së pari si kishë bizantine e më pastaj si xhami”.

“Monoteistët adhuronin një Perëndi, secili në mënyrën e vet”, tha ai, por të gjithë “besonin se vendit duhet të ruhet”.

Kështu ishte derisa grupi Shteti Islamik, nuk e pushtoi Palmiran në muajin maj të këtij viti.

Mamoun Abdel Karim, kreu i Departamentit të Antikiteteve të Sirisë, i tha televizionit shtetëror sirian se militantët nuk i shohin rrënojat e Palmiras nga një pikëpamje e favorshme kulturore ose historike, por si një herezi të kulturave të kaluara nga pikëpamja e tyre tekfiriste, e cila e sheh të tjerët si heretikë.

Ministri sirian i turizmit Bashar Yaziji, dënoi shkatërrimet e fundit në zonën historike, duke u përpjekur të tërheq vëmendjen e opinionit botëror për veprimet e kryera nga grupi militant.

“Tempulli Bel, simbolizon trashëgiminë historike e kulturore të Sirisë”, duke u bërë thirrje sirianëve që të ndihmojnë mbrojtjen e së kaluarës së tyre.

Vëzhguesit sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në thanë dy javë më parë se militantët ekzekutuan me prerje koke ish-drejtorin e antikiteteve në Palmira, Khaled Asaad.

Grupi pushtoi Palmiran në maj dhe pas kësaj historianët thanë alarmin. Militantët i shohin artefaktet dhe statujat e paçmueshme si blasfemi. Ata kanë shkatërruar shumë zona historike edhe në Irak.

Vëzhguesit thonë se militantët kanë shitur një pjesë të antikave.

XS
SM
MD
LG