Lidhje

Analistët reagojnë pas vendimit për tërheqjen e trupave nga Siria


Analistët thonë se tërheqja e trupave amerikane do të çojë në një ndryshim në balancën e pushtetit në pjesën verilindore të Sirisë. Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara e kanë arritur qëllimin e tyre për të mposhtur Shtetin Islamik në Siri dhe trupat amerikane kanë filluar të tërhiqen. Por disa analistë thonë se terroristët nuk janë zhdukur nga vendi i shkatërruar nga lufta dhe se tërheqja e Shteteve të Bashkuara mund t'i bëjë ata më aktivë.

Administrata Trump ka mbështetur udhëheqjen kurde në luftimet tokësore kundër Shtetit Islamik, pavarësisht nga kundërshtimet e Turqisë. Një aleancë e udhëhequr nga kurdët dhe e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara i ka luftuar me sukses militantët në pikat e tyre në pjesën verilindore të Sirisë dhe ka krijuar një rajon de facto autonom për kurdët. Krerët kurdë thonë se kanë humbur mijëra jetë për të arritur qëllimin amerikan dhe tani ndjehen të tradhëtuar.

"Kjo është një goditje pas shpine për kurdët. Shpresoj që populli amerikan ta rishikojë këtë veprim dhe të kuptojë se ajo që populli kurd ka arritur për ta nuk ishte gjë e vogël", thotë Mizgin Gemo, regjisor kurd.

Demokratët në Kongres e kritikuan vendimin e papritur.

"Një vendim i marrë në mënyrë mospërfillëse në aspektin e aleatëve tanë në luftën kundër terrorizmit. Një vendim që është i rrezikshëm dhe një vendim që është një dhuratë Krishtlindjesh për (presidentin rus) Vladimir Putin, për t'i dhënë atij dritën e gjelbër në Siri", tha udhëheqësja demokrate Nancy Pelosi.

Senatori republikan Lindsey Graham tha se vendimi krijon një precedent të rrezikshëm.

"Nuk e di si u mor ky vendim, ai doli krejt papritur dhe ka tronditur botën. Shihni si tregon forcën tani Koreja e Veriut dhe mund të thotë ‘përse nuk largoheni nga Koreja e Jugut para se të bëjmë një marrëveshje’? Mund t'ju premtoj se gjithçka që ka ndodhur në Irak do të ndodhë në Siri, nëse nuk ndryshojmë qasjen tonë", tha senatori republikan Lindsey Graham.

Rreth 2,000 trupa amerikane janë të vendosura në Sirinë veriore për të shërbyer në një zonë mbrojtëse midis qeverisë të mbështetur nga Irani dhe Rusia dhe pjesës së kontrolluar nga opozita. Turqia duket gati të nisë një ofensivë kundër kurdëve në Sirinë veriore për të parandaluar krijimin e një Kurdistani të pavarur.

Irani do të përpiqet të krijojë një korridor tokësor për furnizimin me armë të terroristëve të Hezbollahut, thotë analisti David Adesnik.

"Në vend që të mbështeten tek avionët për të sjellë armë dhe luftëtarë në Damask dhe për të dërguar armë të avancuara tek Hezbollahu, nëse mund të kontrollojnë Sirinë lindore, ku Shtetet e Bashkuara janë tani, ndoshta mund ta bëjnë këtë në terren dhe ta bëjnë më me efikasitet".

Përveç kësaj, thotë analisti, Izraeli ka të ngjarë të ndërhyjë kundër Iranit dhe Hezbollahut dhe Rusia do të përpiqet të hyjë në zona të pasura me naftë ku janë tani trupat amerikane. Disa analistë thonë se terroristët ende kontrollojnë disa territore në Siri.

"Kështu që unë do të argumentoja se lufta kundër xhihadizmit, si në aspektin e organizatave terroriste ashtu edhe në aspektin e ideologjisë - nuk është fituar", thotë Aykan Erdemir me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

Franca, e cila ka qenë aleatja kryesore në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, thotë se trupat e saj tani për tani do të mbeten në Sirinë veriore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG