Lidhje

Të akuzuarit për sulmin me Novichok, mohojnë përfshirjen


Dy shtetas rusë të akuzuar nga Britania për helmimin e një ish-spiuni rus në Salisbury të Anglisë, thanë të enjten se fakti që ata ndodheshin në qytet në kohën e sulmit ishte vetëm një "rastësi e pabesueshme dhe fatale".

Britania i hodhi menjëherë poshtë pretendimet e bëra nga dy personat, Ruslan Boshirov dhe Aleksander Petrov, gjatë një interviste për kanalin rus RT, që financohet nga Kremlini.

Londra i ripërsëriti akuzat se të dy ata janë oficerë të shërbimit informativ ushtarak rus (GRU) dhe se kanë gënjyer kur thonë se nuk kanë lidhje me helmimin e ish-agjentit rus Sergei Skripal.

"Qeveria është e qartë se të dy shtetasit rusë kanë përdorur një armë toksike, shkatërruese dhe të paligjshme në vendin tonë", thanë autoritetet britanike. Sipas tyre GRU-ja i dërgoi agjentët në Salisbury për të helmuar Sergei Skripalin dhe vajzën e tij Julia, me agjentin nervor Novichok.

"I kemi kërkuar në mënyrë të përsëritur Rusisë të japë shpjegime për atë që ndodhi në Salisbury në muajin mars" tha Britania. "Sot, ashtu siç e kemi parë të gjithë, ata janë përgjigjur me gënjeshtra".

Ruslan Boshirov dhe Aleksander Petrov janë akuzuar në mungesë për kryerjen e sulmit. Gjatë intervistës televizive, ata mohuan të ishin agjentë të GRU-së dhe thanë se punonin për një biznes që merret me lëndët ushqyese. Të dyshuarit thanë se e patën vizituar Salisbury-n për të parë katedralen e saj të famshme dhe se nuk e njihnin Sergei Skripali-n apo nuk kishin dijeni se ku jetonte ai.

"E gjithë situata është një rastësi e habitshme e fatale, asgjë tjetër. Cili është faji ynë?!", tha zoti Petrov.

Si Sergei Skripali ashtu edhe vajza e tij, u shëruan pas sulmit, por një grua e cila ra në kontak me agjentin nervor po në Britani, vdiq.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG