Lidhje

Udhëheqësi i senatit çek deklaron: 'unë jam një Tajvanez' – duke nxitur zemërimin e Kinës


Kryetari i Senatit të Republikës Çeke mbështeti hapur një Tajvan të pavarur dhe demokratik, duke shkaktuar një reagim të zemëruar nga Kina, e cila tashmë ishte e mllefosur me vizitën e tij.

Gjatë një fjalimi në parlamentin e Tajvanit të martën, Milos Vystrcil ju referua fjalimit të famshëm të presidentit të ndjerë të Shteteve të Bashkuara, John F. Kennedy në vitin 1963 në Berlinin Perëndimor, i cili ishte bërë një pikë kryesore e Luftës së Ftohtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik të drejtuar nga komunistët, pasi që Berlini Lindor - kryeqyteti i Gjermanisë Lindore komuniste - u mbyll për botën perëndimore nga sovjetikët.

Duke përdorur fjalinë legjendarë të presidentit Kennedy, “Ich bin ein Berliner,” “Unë jam një Berlinez”, si një shembull të mbështetjes për lirinë dhe demokracinë, zoti Vystrcil u prit me brohoritje kur tha në gjuhën mandarin se “unë jam një Tajvanez”.

Fjalimi i zotit Vystrcil, që u mbajt dy ditë pasi ai arriti si pjesë e një delegacioni të nivelit të lartë për të promovuar lidhjet diplomatike dhe ekonomike me Tajvanin, nxiti zemërimin e Pekinit, i cili e konsideron ishullin një provincë të shkëputur dhe ka punuar për ta izoluar atë nga bashkësia ndërkombëtare.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze Hua Chunying, dënoi fjalimin e zotit Vystrcil, duke thënë se ligjvënësi çek po mbështeste hapur "forcat separatiste" të Tajvanit dhe po ndërhynte në punët e brendshme të Kinës.

Politikani çek tashmë kishte zemëruar Pekinin përpara fjalimit të së martës. Ministri i Jashtëm, Wang Yi, deklaroi të hënën se zoti Vystrcil do të "paguante një çmim të lartë për sjelljen e tij shkurtpamëse dhe spekulimet politike".

Ministria e Jashtme Çeke thirri ambasadorin e Kinës për të protestuar ndaj vërejtjeve të ministrit Wang.

Kina dhe Tajvani u ndanë pas luftës civile të vitit 1949, kur forcat komuniste të Mao Ce Dunit dëbuan forcat Nacionaliste të Chaing Kai-shekut, të cilat u vendosën në ishull. Pekini është zotuar të vendosë ishullin nën kontrollin e tij me çdo mjet të nevojshëm, përfshirë pushtimin ushtarak.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG