Lidhje

Erdogan: Do të takohem me zotin Obama


Presidenti turk Taip Erdohan tha sot (të martën) se do të takohet me presidentin Barak Obama gjatë takimit për sigurinë bërthamore pavarësisht diferencave që ata kanë mbi Sirinë dhe drejtimin që po ndjek Turqia në politikat e saj të brendshme. Zoti Erdohan do të jetë mes dhjetëra udhëheqës shtetesh që marrin pjesë në takimin e nivelit të lartë që zhvillohet këtë javë këtu në Uashington.

Ka patur spekulime të shumta në median turke nëse zoti Erdohan do të takohej apo jo me presidentin Obama, ndërsa disa kanë sugjeruar se dështimi i një takimi të tillë do të ishte mospërfillje e qëllimshme nga Uashingtoni.

“Është planifikuar një takim me zotin Obama, janë bërë përgatitjet. Do të takohemi sikurse u takuam në mbledhjen G20. Nuk po shkoj në Uashington për bisedime dypalëshe i ftuar nga zoti Obama. Në Uashington po shkoj për samitin e sigurisë bërthamore ku do të ketë më shumë se 50 udhëheqës botërorë.

Kështu u shpreh zoti Erdohan për shtypin në Stamboll para se të nisej për Shtetet e Bashkuara. Vend anëtar në NATO, Turqia është pjesë e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që po lufton Shtetin Islamik në Siri dhe Irak. Por dy aleatët kanë mosmarrëveshje të thella lidhur me forcat kurde në veri të Sirisë.

Uashingtoni ndërkohë i ka shtuar ndjeshëm kritikat lidhur me gjendjen e lirisë së shprehjes në Turqi. Nënpresidenti Joe Biden tha gjatë një vizite në janar se Turqia po jepte një shembull të dobët për fenë duke frikësuar median dhe akuzuar akademikët për tradhëti.

Presidenti turk po shtu tha se arrestmi i tregtarit turko-iranian të floririt Reza Zarrab në Florida, nuk përbënte shqetësim për vendin e tij.

“Nuk përbën shqetësim për Turqinë. Nuk është e drejtë të bëjmë vlerësim pa e ditur nëse çështja ka të bëjë me pastrim parashë apo jo. Por, pastruesit e vërtetë të parave janë atje, në Pensilvani. A kanë vepruar autoritetet atje kundër këtyre njerëzve ?”

Presidenti turk po i referohej klerikut turk që jeton në Shtetet e Bashkuara Fethullah Gulen. Ndërsa tregtari i floririt Reza Zarrab, i cili ishte në qendër të një hetimi për marrje ryshfeti në vitin 2013, u arrestua në Florida javën e shkuar nën akuzat se ai dhe dy iranianë kishin thurur plane për transanksione financiare disa qindra miliona dollarëshe përmes kompanive turke dhe të Emirateve të Bashkuara që ndihmuan individët dhe subjektet iraniane që të shmangnin sanksionet amerikane.

Presidenti turk tha se kërkonte që autoritetet amerikane të ndërmarrin hapa kundër një rrjeti shkollash që drejtohen nga një lëvizje e lidhur me zotin Gulen, të cilin presidenti Erdohan e ka akuzuar se po drejton një shtet paralel dhe po komploton për ta rrëzuar atë nga pushteti.

XS
SM
MD
LG