Lidhje

Takimi i Asamblesë së Përgjithshme shoqërohet me protesta


Takimi i Asamblesë së Përgjithshme shoqërohet me protesta
Takimi i Asamblesë së Përgjithshme shoqërohet me protesta

Ndërkohë që udhëheqësit botërorë vazhdojnë takimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në New York janë mbledhur qindra protestues përfshirë një kandidat për presidentin e ardhshëm të Asamblesë së Përgjithshme.

Është një skenë që përsëritet çdo vit në shtator kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nis punimet. Demonstruesit protestojnë në lagjet përreth selisë së OKB-së, dhe para hotelit Waldorf Astoria, ku tibetianët protestuan gjatë arritjes së kryeministrit kinez Wen Jiabao.

Në sheshin përballë ndërtesës së OKB-së, përkrahësit e demokracisë në Kinë dhe lëvizjet e të drejtave të njeriut gjithashtu protestuan kundër udheheqësve kinezë duke bërë thirrje për lirimin e të burgosurëve politik dhe dhënien fund të asaj që ata e quajnë marrje e tokave për eksploatim ekonomik.

Udhëheqësi i protestave është Yang Jianli:

“Mendoj se do të kemi ndikim gradual. Ndikimi mund të jetë i vogël, por do të rritet me kalimin e kohës. Ne vijmë këtu sepse zëri ynë nuk mund të dëgjohet brenda Kinës.”

Si vitin e kaluar, edhe këtë vit shumë demonstrata që zhvillohen para OKB-së janë kundër presidentit iranian Mahmoud Ahmadinaejad. Anëtarët e Bordit të Rabinëve në New York, të mbështetur nga një grup të krishterësh, në mëngjes për pak kohë bllokuan trafikun afër OKB-së për të tërhequr vëmendjen ndaj dyshimeve mbi aftësitë bërthamore të Iranit dhe kërcënimin e tij ndaj Izraelit.

Në një protest tjetër kundër zotit Ahmadinejad, demonstrues pro-demokracisë u veshën me rroba të burgosurish dhe lyen duart dhe fytyrën me ngjyrë të kuqe për të tërhequr vëmendjen ndaj ekzekutimeve të fëmijëve dhe grave përmes varjes dhe gjuajtjeve me gurë që ka bërë Irani.

Këtë vit protestohet edhe për shpëtimin e Himalajeve nga efektet e ndryshimeve klimatike.

Diplomat të lartë nepalez që po marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së iu bashkuan protestave. Kul Chandra është kandidat i Nepalit për president të vitit ardhshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Erdha këtu për të treguar solidaritetin tim sepse kjo është një çështje me rëndësi të madhe globale. Malet po shkrihen. Nëse ato shkrihen, do të shkaktohen fatkeqësi që do të prekin qindra miliona njerëz.”

Në mesin e demonstruesve janë edhe rreth 30 malësorë nepalez, disa prej të cilëve këndonin këngë të këngëtarit nepalez Prem Raja Mahat. Secili prej tyre është ngjitur të paktën një herë në Everest, mali më i lartë në botë që sipas demonstruesve kërcënohet të shndërrohet në shkëmbinj të tharë.

XS
SM
MD
LG