Lidhje

Debati mbi projektligjin e taksave


Dhoma e Përfaqësuesve në kongresin amerikan ka miratuar një projektligj i cili parashikon ndryshime të rëndësishme në kodin e taksave të vendit për herë të parë në tre dekada. Edhe senati i kontrolluar nga republikanët është duke shqyrtuar një projektligj mbi reformimin e sistemit të taksave për të cilin pritet të votohet javën e ardhshme.

Miratimi i projekligjit mbi taksat i jep presidentit Donald Trump dhe republikanëve të kongresit një fitore shumë të nevojshme pas një viti dështimesh në fushën legjislative.

"Fuqia e atyre që duan të ruajnë status kuonë në këtë qytet është shumë e fortë, por 227 burra dhe gra të këtij Kongresi e kanë thyer atë sot. Kjo është e fuqishme", tha ligjvënësi Paul Ryan, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Pavarësisht optimizmit mes republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, projektligji tani përballet me një rrugë shumë më të vështirë në Senat.

Të enjten vonë, Komisioni i Senatit për Financat miratoi projekt-ligjin e vet për ndryshimin e sistemit të taksave që do të dërgohet për votim në Senat javën e ardhshme pas festës së Falenderimeve.

Projektligji i Senatit qysh tani po përballet me kundërshtime të forta nga demokratët, të cilët thonë se ai ndihmon të pasurit. Disa senatorë republikanë kanë shprehur gjithashtu pakënaqësi ndaj disa pjesëve të projektligjit, duke e vënë në pikëpyetje mundësinë e miratimit të tij.

Anëtarët e të dyja partive kanë shprehur shqetësime rreth ndryshimeve të mëdha në kodin e ndërlikuar të taksave, që po bëhen me nxitim për t'i dhënë Shtëpisë së Bardhë ligjin e parë për t’u nënshkruar nga presidenti deri në fund të vitit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG