Lidhje

Tarifat e reja ndaj Kinës, mbështetje të kufizuar nga ligjvënësit


Presidenti Donald Trump pas nënshkrimit të një memorandumi për tarifa ndaj Kinës

Tarifat më të fundit të administratës Trump ndaj importeve kineze janë mirëpritur nga ata që kanë kërkuar një qëndrim më të ashpër ndaj praktikave tregtare të Kinës. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Bill Gallo, të tjerë kanë dyshime nëse Shtëpia e Bardhë po përdor strategjinë e duhur në këtë luftë tregtare me ekonominë e dytë më të madhe të botës.

“Duhet të ishte bërë vite më parë; duhet të ishte bërë nga presidentët e mëparshëm dhe është madje turp që nuk e kanë bërë”, deklaroi Presidenti Trump.

Në një mënyrë, Presidenti Donald Trump po realizon diçka që shumë njerëz e kanë kërkuar prej kohësh: një përqasje më të fortë ndaj Kinës.

“Humbjet kanë qenë tronditëse për vendin tonë për vite të tëra dhe nuk mundemi ta lejojmë këtë gjë të vazhdojë”, tha Presidenti Trump.

Presidenti Trump njoftoi këtë javë tarifa për mallra kineze me vlerë 200 miliardë dollarë. Siç kishte premtuar, Kina u kundërpërgjigj me tarifa të sajat ndaj mallrave amerikane me vlerë 60 miliardë dollarë.

Këto lëvizje e shtojnë frikën për një luftë të plotë tregtare me Pekinin. Por, disa në Uashington nuk shohin shumë alternativa të tjera.

“Nuk dëshiroj një luftë tregtare me Kinën, por duhet të ketë drejtësi. Mendoj se është një koncept shumë i thjeshtë në jetë: bizneset e tyre duhet të lejohen të bëjnë këtu vetëm atë çfarë u lejohet bizneseve tona të bëjnë atje. Përse të mos ishte kjo e drejtë dhe reale?”, u shpreh Senatori republikan, Marco Rubio.

Por, të tjerë janë të shqetësuar se lufta tregtare e Presidentit Trump nuk është e fokusuar sa ç’duhet.

Më konkretisht, ata ngrenë pikëpyetje për tarifat e Presidentit Trump për çelikun dhe aluminin ndaj vendeve aleate, si Kanadaja, Meksika dhe Bashkimi Evropian, vende të cilat mund të ndihmonin për t’i ushtruar presion Kinës.

“Jam i shqetësuar për tarifat që Presidenti Trump u vendos aleatëve të ngushtë duke e dobësuar më tej pozitën tonë në tregtinë botërore”, thotë Senatori demokrat Chris Koons.

“Shtetet e Bashkuara sikur janë ngritur nga gjumi dhe veprojnë pa arsye apo logjikë”, thotë Senatori republikan Bob Corker.

Mosmarrëveshjet tregtare të Presidentit Trump mund të kenë pasoja politike, megjithëse nuk duket se tarifat do rrisin menjëherë çmimet për konsumatorët amerikanë.

Momentalisht, tarifat po dëmtojnë disa prej mbështetësve kryesorë të Presidentit Trump, si fermerët e pjesës qendrore perëndimore të SHBA-së, të cilët i eksportojnë produktet e tyre drejt Kinës.

“Duke qenë se jemi një demokraci, sistemi ynë politik është ndërtuar për të qenë i ndjeshëm ndaj pikëpamjeve të votuesve. Siç e dini, SHBA-ja ka zgjedhje në nëntor dhe në Kinë nuk votohet tani”, thotë ekonomisti Bill Adams.

Tarifat kineze dhe ato amerikane hyjnë në fuqi më 24 shtator.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG