Lidhje

Qeveria: Tatimi mbi të ardhurat s’ndryshon


Ministria e Financave reagon pas një drafti të saj publikuar në media sipas të cilit taksimi prekte dhe pagat minimale

Në Shqipëri ministria e Financave hodhi sot poshtë cdo mundësi të një ndryshimi të skemës së tatimit mbi të ardhurat personale, pas debatit që nisi nga publikimi i një drafti për një ligj të ri për të ardhurat tatimore

“Nuk ka ndryshim në skemën e tatimit e të ardhurave personale dhe nuk ka asnjë plan për ndonjë ndryshim të mundshëm në këtë drejtim. Reforma përsa i përket politikës të taksave tashmë ka përfunduar në përputhje me premtimin elektoral dhe programin e qeverisë”, deklaroi zëvëndësministri I Financave Erjon Luci.

Projekti që u publikua në media solli diskutime të shumta pasi parashikonte përfshirjen në skemën për të ardhurat tatimore edhe të personave me pagë mujore minimale, të cilat deri më tani janë të përjashtuar nga kjo taksë. Sipas tekstit të draftit që i ishte shpërndarë për mendim nga ministria e Financeve, një grupi personash, të ardhurat mujore deri në 15 mijë lekë do të tatoheshin me 5 përqind, ndërsa pjesa tjetër me 13 dhe 23 përqind.

Por zëvëndësministri Luci shpjegoi se bëhej fjalë për një draft teknik i cili nuk kishte kaluar për diskutim në nivele politike. Me herët burime të ministrisë së Financave kishin shpjeguar se shifrat në draft kishin qenë vetëm ilustruese.

Debati për këtë cështje u bë i zjarrtë pasi koincidoi me momentin e rishikimit të buxhetit nga qeveria për shkak të dështimit në mbledhjen e të ardhurave. Zoti Luci nënvizoi se “fokusi kryesor për zgjerimin e të ardhurave buxhetore do të mbetet lufta kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, përmirësimi i eficiencës dhe i administrimit tatimor dhe doganor”.

XS
SM
MD
LG