Lidhje

Të ardhurat dështojnë dhe në shtator


Pavarësisht rishikimit në ulje, dhe nisjes së operacionit kundër informalitetit, edhe 9-mujori i parë i vitit rezulton me të paktën 6.9 miliard lekë më pak

Në Shqipëri gropa e krijuar nga të ardhurat ka vazhduar edhe në muajin shtator, megjithë rishikimin në ulje të parashikimeve apo dhe operacionin e gjerë të ndërmarrë nga autoritetet kundër informalitetit. Sipas të dhënave paraprake të publikuara sot nga ministria e Financave, totali i të ardhurave në muajin shtator ishte rreth 30.5 miliardë lekë, (247 milion dollarë) gati 4.1 miliardë më pak se plani i rishikuar dhe afërsisht 5.5 miliardë më pak se plani fillestar.

Për periudhën Janar-Shtator, arkës së shtetit i mungojnë 6.9 miliardë lekë, pasi totali i të ardhurave arriti jo më shumë se 279 miliardë lekë (2.26 miliard dollarë). Peshën kryesore të mosrealizimit e mbartin të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat me 4.2 miliardë lekë më pak, nga të cilat 3.5 miliardë janë ato që mungojnë nga Doganat.

Ndonëse në fillim të vitit Qeveria rriti akcizën për duhanin, taksën e qarkullimit që aplikohet mbi karburantet apo dhe tatimin mbi të ardhurat nga qeratë, interesat bankare dhe dividentët, sërish këto zëra kanë rezultuar në ulje, edhe ndaj planit të rishikuar në mesin e këtij viti. Për akcizën mbi duhanin ministria e Financave e shpjegoi këtë me uljen e importeve dhe rritjen e prodhimit vendas, apo dhe me ndikimin e kursit të këmbimit për shkak të forcimit të dollarit amerikan. Rënia e të ardhurave nga Tatimi mbi vlerën e shtuar në produktet e importit shpjegohet me reduktimin e blerjeve jashtë vendit, kryesisht të energjisë. Ndërkohë që rritje e importeve të makinerive, sipas ministrisë, nuk ka patur efekt për shkak se ato janë përjashtuar nga taksat. Ndërkohë që për nivelin po të ulët të Tatimit mbi të ardhurat personale, kjo ka ndodhur sipas ministrisë “për arsye të vazhdimit të ndikimit të rënies së normave të interesit, të cilat ndikojnë në të ardhurat nga tatimi mbi interesat, si dhe dividentëve të paguar kryesisht në muajin gusht të këtij viti, pagesa të cilat ishin më të ulta se parashikimi si dhe të ardhurat e ulta nga shitja e pasurisë së paluajtshme”.

Rënia e të ardhurave në muajin shtator, përkon pikërisht me nisjen e aksionit të autoriteteve për të luftuar informalitetin dhe evazionin fiskal. Ndaj kësaj nisme, të shoqëruar dhe me masa të rrepta ndëshkuese, pati kritika të shumta ndaj qeverisë, vecanërisht për faktin se goditjet e saj ranë kryesisht mbi bizneset e vogla, që mbizotërojnë në numër, por që kanë një peshë të vogël në buxhet, krahasuar me ato që lidhen me mallrata e forta si karburanti, cigaret apo pijet alkoolike. Autoritetet megjithatë përdorën si kundërargument të dhëna sipas të ciave në muajin shtator xhiroja e biznesve ishte rritur me 14 miliard lekë, por që nuk duket të jetë përkthyer ende në të ardhura në arkën e shtetit.

XS
SM
MD
LG