Lidhje

Të papunët shpresojnë tek ndihma e qeverisë për gjetjen e punës


Të papunët shpresojnë tek ndihma e qeverisë për gjetjen e punës
Të papunët shpresojnë tek ndihma e qeverisë për gjetjen e punës

Të papunët në Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta mbajnë lart moralin, ndërsa kërkojnë punë, megjithë gjendjen e rëndë ekonomike në vend. Shumë amerikanë ndoqën të enjten fjalimin e Presidentit Obama para të dyja dhomave të Kongresit amerikan dhe shpresojnë që Presidenti dhe Kongresi do të bashkëpunojnë për një plan për rigjallërimin e ekonomisë amerikane:

Adrian Dustin Munoz e ndoqi me vëmendje të veçantë fjalimin e Presidentit Obama. 25-vjeçari kërkon punë në industrinë e filmit.

Në kushtet kur niveli i papunësisë është mbi 9 për qind, të rinjtë ndeshen me një konkurrencë të ashpër.

Në Universitetin e Kalifornisë, në Los Anxhelos, studentja e vitit të fundit Kristinë Chan e ndjek me kujdes tregun e punës.

"Unë mendoj se vende pune ka, por ne studentët nuk jemi të përgatitur siç duhet për tregun."

Kristine studjon për kriminalistikë dhe psikologji dhe ka bërë praktikë në disa agjenci sociale, si pjesë e strategjisë që ajo është duke ndjekur në kërkim të një vendi pune.

Studenti tjetër i vitit të fundit, Tien Cheng, studjon për informatikë dhe kontabilitet dhe thotë se kërkimi për punë është nuk është i lehtë…

"Nganjëherë nuk jam i sigurtë se çfarë duhet të bëj për momentin, prandaj përpiqem të bëj praktikë në disa zyra, ose punoj disa orë në javë."

Wall Street-i po përjeton krizë dhe ekonomia amerikane është në rënie. Por megjithatë vende pune ka, thotë Kristofer Lenz, i cili punon në Qendrën e Zhvillimit të Karrierës në Universitetin e Kalifornisë.

"Ka edhe njerëz që largohen nga puna për të gjetur punë më të mirë, pra gjithmonë hapen vende pune. Duhet vetëm durim dhe këmbëngulje."

Organizata jo-qeveritare Operation Hope, ka një internet-kafe, ku të papunët kërkojnë punë në internet.

Ish-punonjësi i një radioje, 50 vjeçari Rod Amos, kërkon punë çdo ditë në mënyrë sistematike.

"Në fillim kontrolloj e-malin për të parë në se dikush i është përgjigjur kërkesave të mija të mëparshme përmes internetit. Pastaj shkruaj e-maile të reja, që ua dërgoj punëdhënësve."

Tani ai po kërkon punë edhe në fusha të tjera përveç radios…

Njerëzit që kërkojnë punë shpresojnë se Washingtoni mund t’i ndihmojë. Kështu mendon edhe Rod Amos, por ai nuk i mban shpresat vetëm atje.

"Ne nuk mund t’i mbështesim shpresat tona vetëm tek Shtëpia e Bardhë, duhet të përpiqemi vetë për të gjetur punë."

Adrian Dustin Munoz, i cili kërkoi punë për një kohë të gjatë, thotë se tani ndjehet i lehtësuar, pas një telefonate që mori këtë javë. Atij i ofruan një vend pune si editor filmi.

"Të paktën tani, nuk shqetësohem shumë. Vetëm duhet të shkoj në punë dhe ta bëj punën sa më mirë."

Të tjerë, jo dhe aq me fat, bëjnë përpjekje maksimale për të gjetur punë në një treg pune të vështirë.



XS
SM
MD
LG