Lidhje

Teknologjia e parashikimit të motit


Një ekspozitë meterologjike në Bruksel pasqyroi teknologjinë e fundit në ndihmë të përmirësimit të aftësive për të parashikuar motin

Të premten, më 17 tetor uragani Gonzalo goditi ishullin e Bermudës, duke rrëzuar pemë dhe shtylla të tensionit dhe duke i bërë rrugët të vështira për t’u kaluar. Dëmet ishin të mëdha. Por falë paralajmërimeve banorët ishin në gjendje të përgatiteshin dhe nuk u njoftua për asnjë vdekje apo të plagosur.

Shkencëtarët thonë se sistemet e motit janë tejet të vështira për t’u parashikuar pasi duhet të merren në konsideratë shumë faktorë. Por përmirësimi i teknologjisë dhe përhapja më e gjerë e superkompjuterave, i ka bërë parashikimet më të lehta.

Administrata amerikane për Oqeanet dhe Atmosferën (NOAA) thotë se sistemi i saj i ri i parashikimeve, i quajtur NEIS mbledh miliona të dhëna nga e gjithë bota për të krijuar një model katër dimensional për motin në botë.

Drejtori i agjencisë Alexander MacDonald thotë se fotografitë satelitore të stuhive të mëdha që goditën Kinën në tetor të 2010-ës, në të majtë të ekranit, janë të ngjashme me ato të krijuara nga modeli i kompjuterit në të djathtë:

“Pra kjo tregon aftësitë që janë zhvilluar me modelet kompjuterike dhe vetë natyra krijon të njëjtët skenarë në botën reale. Jemi shumë të entuziazmuar nga këto përmirësime.”

Ndotja e ajrit është një tjetër fatkeqësi e botës moderne që ndikon në qytetet e mëdha dhe zonat industriale. Kështu efekti negativ mbi shëndetin e bën matjen e ndotjes në kohë reale të rëndësishme.

Alan Taylor, drejtor i kompanisë Turnkey Instruments me bazë në Britani, thotë se pajisja e tyre e quajtur Topas përdor rrezet lazër për të monitoruar grimcat në ajër.

Por ai thotë se matja e saktë nuk zgjidh problemin:

“E rëndësishme është si veprojnë qytetet kur e dinë këtë. A ndalin trafiku, a ndalojnë kamionët? Pra ne e japim informacionin, por çfarë bën qyteti me këtë informacion, është një çështje tjetër.”

Edhe në qytete që nuk kanë problem ndotjen, është e rëndësishme të maten kushtet atmosferike, si niveli i polenës që mund ta bëjë jetën të mërzitshme për ata që vuajnë nga alergjia.

Drejtuesja e ekipit kërkimor në Universitin e Gjenevës Svetlana Afonina thotë se instrumenti i tyre i ri, i quajtur zbulues optic, përdor me teknologji të rrezeve ultravjollcë:

“Pajisja është shumë specifike dhe lejon identifikimin e grimcave të ndryshme në atmospherë. Ne jemi në gjendje të matim dhe të dallojmë polenet e ndryshme në kohë reale.”

Ekspozita e Brukselit, tani në vitin e pestë, tërhoqi më shumë se 2,500 njerëz nga mbarë bota për të parë teknologjitë e fundit të parashikimit të motit dhe ndryshimeve klimatike.

XS
SM
MD
LG