Lidhje

Teknologji e re për pastrimin e ujit premton të shpëtojë mijëra jetë njerëzish


Teknologji e re për pastrimin e ujit premton të shpëtojë mijëra jetë njerëzish
Teknologji e re për pastrimin e ujit premton të shpëtojë mijëra jetë njerëzish

Shkencëtarët në Afrikën e Jugut kanë prodhuar një filter uji me kosto të ulët, lehtë për t’u përdorur dhe që mund të shpëtojë jetët e mijëra njerëzve. Në komunat e varfëra ku furnizmimi me ujë të pastër është i pakët dhe sëmundje si diarea marrin jetë njerëzish, kjo teknologji e re ofron shumë shpresë.

Uji i papastërt, i mbushur me mbeturina është i zakonshëm për miliona afrikanë të varfër. Në këtë komunë në Afrikën e Jugut banorët përpiqen të përballojnë situatën, por e kanë të vështirë të gjejnë ujë të pastërt.

Vite të tëra nën regjimin e aparteidit sollën diskriminim racial në zona si këto me infrakstrukturë mjaft të varfër.

Nënat zakonisht shoqërojnë fëmijët e tyre, në distanca të largëta për të marr kova me ujë të pastër që shërbejnë për të gjithë familjen.

Këshilli për Kërkimet Shkencore dhe Industriale në Cape Town, është vetëm një nga shumë qendra që po përpiqen të gjejnë zgjidhje për këtë problem, duke kërkuar burime të mundshme alternative të ujit.

Bettina Genthe, është mikrobiologe në këtë qendër:

A e dini se në Afrikën e Jugut diareja është shkaku i tretë i vdekjeve mes fëmijëve nën moshën pesë vjecare ndërsa tek të rriturit është shkaktari numër tetë? Diareja shkaktohet nga uji i papastërt në 80 përqind të rasteve.

Ekspertët thonë se 50 përqind e afrikanëve nuk kanë ujë të pastërt.

Kjo ka nxitur një profesor universiteti dhe ekipin e tij të punës të zhvillojnë një teknologji të filterave që mund të shpëtojnë mijëra jetë njerëzish.

Filtrat i ngjajnë qeseve të çajit, që vendosen në fytin e shishes dhe mund të pastrojnë ujin.
Profesor Eugene Cloete thotë se puna e tij u motivua nga 300 milionë afrikanët që nuk kanë ujë të pijshëm.

“Shumë njerëz në Afrikë janë të infektuar me virusin HIV e sidën dhe vdesin normalisht nga kolera. Në se marrin infeksionin e kolerës vdesin pasi nuk kanë sistem imun për ta luftuar atë. Në të gjitha këto rastet kur njerëzit do të kenë tani ujë pa mikrobin e kolerës, do të jetojnë më gjatë dhe cilësia e jetës së tyre do të jetë më e mirë”.

Kjo pajisje është përshëndetur si një arritje e madhe në betejën kundër sëmundjeve që vijnë nga uji i ndotur në zona të varfëra, vecanërisht në Afrikë.

Filtri është ndërtuar duke përdorur fibrat nano, secila rreth 1 e 100-ta e trashësisë së flokëve të njeriut dhe të futura në një borsë që filtron bakterie mikroskopike.

Prodhimi i ujit të pastër kushton vetëm 3 cent. Projekti ka tërhequr interesin e një numri ministrish nga vendet afrikane që duan ta shtrijnë këtë teknologji në vendet e tyre.

Fondacioni Bill dhe Melinda Gates është një nga organizatat filantropiste që kanë kërkuar të mësojnë rreth kësaj teknologjie. Filtrat janë në proces të prodhimit masiv dhe plani është që ato të shpërndahen në gjithë botën.

Tani për tani ky novacion i zhvilluar në zemër të Afrikës është risia më e rëndësishme në luftën kundër sëmudjeve që vijnë nga uji i ndotur.

XS
SM
MD
LG