Lidhje

Teknologjia si masë mbrojtëse ndaj diskriminimit të përditshëm në shoqëri


Në të majtë, gruaja që mori në pyetje James "Jamie" Juanillon në lagjen e tij, dhe në të djathtë gruaja e njohur si "Karen e Central Park-ut"

Kur dy kalimtarë të panjohur ndaluan të akuzonin James "Jamie" Juanillon për dëmtim të pronës private, i riu nga San Françisko menjëherë mori një qëndrim mbrojtës. Ai filloi të regjistrojë takimin, i cili përfundimisht mori vëmendje të madhe në rrjetet sociale, me më shumë se 23 milionë shikime.

"E bëra regjistrimin jo sepse mendoja se kishte potencialin për një video të sukesshme, por sepse besoja se do të më duhej të provoja pafajësinë time, se ata do të më akuzonin për ndonjë krim", thotë zoti Juanillo, një amerikano-filipinas 50 vjeçar.

James Juanillo përpara murit ku shkruajti me shkumës
James Juanillo përpara murit ku shkruajti me shkumës

"Krimi" i tij ishte se shkruajti me shkumës një mesazh të “Black Lives Matter” (Jetët e afrikano-amerikanëve vlejnë) në murin rrethues të shtëpisë në “Pacific Heights”, ku ai banon me bashkëshortin e tij dhe disa miq. Në video, gruaja, e identifikuar si Lisa Alexander, së bashku me partnerin e saj mashkull, i afrohen zotit Juanillo dhe e pyesin nëse ai jeton në këtë objekt. Ata thonë se e dinë që ai nuk jeton aty dhe sugjerojnë se ai po shkel ligjin.

Zoti Juanillo dëgjohet duke refuzuar me qetësi t'i përgjigjet pyetjeve ndërsa sfidon aludimin e dukshëm të gruas se një person që duket si ai nuk mund t'i takonte kësaj lagjeje të pasur.

"Ajo që kam përjetuar është një lloj racizmi i sjellshëm, i përditshëm, i kudondodhur, i pranuar, që të jepet me edukatë si një dhuratë e mbështjellë bukur, duke parashikuar se do të pranosh epërsinë dhe supremacinë e tyre", thotë zoti Juanillo.

"Prezumimi është se ata kanë të drejtën për (të kërkuar) çfarëdolloj përgjigjeje [për çdo pyetje] që ata ndjejnë se mund t'ja drejtojnë një personi të rastësishëm me ngjyrë në çfarëdo situate".

Aleksandrën, gruan në video, e mbiquajtën "Karen". Termi fillimisht i referohej një gruaje të bardhë të privilegjuar, e cila përpiqet të përdorë privilegjin ose statusin e saj në shoqëri për të kërcënuar ose mbizotëruar ndaj dikujt gjatë një debati.

Origjina e memes - një imazh me humor në rrjetet sociale, video ose fjalë që përhapet me shpejtësi në internet - nuk dihet. Disa e gjejnë origjinën e saj tek një personazh në filmin e vitit 2004 "Vajza të këqija", ndërsa të tjerë thonë se erdhi nga komediani amerikan Dane Cook, i cili bëri një skeç në lidhje me një mike që nuk i pëlqen askujt, një vajzë me emrin Karen.

Ngado qoftë prejardhja e tij, termi ka evoluar, thotë Matt Schimkowitz, kryeredaktor i "Know Your Meme", një faqe interneti që dokumenton fenomenet e internetit.

"Unë mendoj se termi mori një kuptim më serioz vitin e kaluar, duke pasur parasysh që është i lidhur me atë që ne e quajmë në faqen e internetit një pseudonim të punonjësve të zyrave", thotë ai, "që është një trend i videove të njerëzve të bardhë - zakonisht ... gra të bardha - duke i telefonuar policisë për njerëzit me ngjyrë, thjesht sepse ata janë duke jetuar jetën e tyre ose duke punuar".

Momenti vendimtar për memen "Karen", thotë zoti Schimkowitz, erdhi në maj kur një grua u thirr në polici pasi një vëzhgues zogjsh në Parkun Qendror të Nju Jorkut i kërkoi asaj që të lidhte qenin e saj, në përputhje me udhëzimet lokale. Burri, një redaktor shkencor 57-vjeçar i shkolluar në Harvard, regjistroi shkëmbimin gjatë të cilit gruaja kërcënon t'i tregojë policisë se ekziston, "një burrë afrikano-amerikan që po rrezikon jetën time", siç u shpreh ajo.

Se çfarë përfaqëson një "Karen" vazhdon të evoluojë me kohën. Kjo meme tani mund t'i referohet edhe një gruaje të bardhë që përpiqet të kollitet mbi njerëzit që mbajnë maska, sepse ajo mendon se koronavirusi është një shaka. Ose një gruaje që nervozohet në dyqan, pasi iu kërkua të vinte një maskë. Asnjë ekuivalent mashkull i memes "Karen" nuk ka zënë vend.

"Kjo i shtyn shumë njerëz të debatojnë mbi konotacionet seksiste të (memes) 'Karen' dhe arsyet pse e përdorim atë, si një lloj standardi të dyfishtë", thotë zoti Schimkowitz.

Ai mendon se memja 'Karen' ka arritur një nivel kaq të lartë të përdorimit sa që njerëzit në internet do ta ndalin përdorimin e saj. Sidoqoftë, kjo fjalë është bërë aq e rrënjosur në kulturë sa ka të ngjarë të vazhdojë të përdoret.

"Për shkak se fjala është kaq specifike në kuptimin e saj dhe të gjithë e kuptojnë, unë mendoj se ajo thjesht do të vazhdojë të përdoret, sepse është një shkurtim i mirë për një shoqëri që, me të vërtetë më shumë se çdo gjë tani, vlerëson konçizitetin", thotë zoti Schimkowitz.

“Nuk ka shumë hapësirë për fraza të gjata nëpër botë. Ne preferojmë më mirë një cicërimë (një mesazh i shkurtër në Twitter), dhe në këtë drejtim, unë mendoj se termi 'Karen' qëndron me ne, ashtu siç bën një 'emoji' me buzëqeshje".

James "Jamie" Juanillo përpara shtëpisë së tij
James "Jamie" Juanillo përpara shtëpisë së tij

Në San Françisko, policia që iu përgjigj telefonatës kundër zotit Juanillo, e njohu atë si një banor të zonës dhe u largua pa asnjë incident. Aleksandra dhe partneri i saj kërkuan publikisht falje, pasi filmimi u pa nga shumë njerëz. Zoti Juanillo vendosi të publikojë videon e momentit të tij "Karen" për të nxjerrë në pah se si mund të duket racizmi i përditshëm.

"Racizëm nuk do të thotë vetëm të ekzekutohesh në rrugët e Amerikës. Ndonjëherë do të thotë thjesht se të pyesin përse ekziston dhe ku ekziston”, thotë zoti Juanillo. "Dikush mund të thërrasë policët - burra me armë - për veprimet e tua të pafajshme, si vizatimi me shkumës në një objekt që nuk është i tyri, dhe për të cilin ata nuk kanë asnjë interes. Megjithëse nuk ndjehen të kërcënuar prej teje, ata janë megjithatë ende të gatshëm të vënë në rrezik të jetën tënde".

Termi dhe njerëzit që e mishërojnë atë do të vazhdojnë të ekzistojnë, por njerëz si Juanillo që mund të ishin ndier më parë të pafuqishëm ose të prekshëm gjatë shkëmbimeve të tilla, tani kanë një armë të fuqishme të tyren.

"Kjo nuk është më një botë me vetëm 'çfarë tha ai, kundrejt çfarë tha ajo' ose 'ai përkundrejt një tjetri'. Tani është një botë ku teknologjia është një barazues i shkëlqyeshëm", thotë zoti Juanillo, "dhe ne të gjithë kemi aftësinë dhe teknologjinë për të regjistruar të vërtetën, dhe drejtësia do të jetë vizualisht në anën tonë".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG