Lidhje

Teksasi, dikur kështjellë republikane, në transformim gradual


Teksasi, shteti i dytë më i madh amerikan, dikur një bazë e fortë republikane, po ndryshon. Tradicionalisht shtetet republikane amerikane në hartë dallohen me ngjyrë të kuqe, ndërsa shtetet demokrate me ngjyrë blu.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee shpjegon përse Teksasi po merr gradualisht ngjyrë vjollcë:

Në komunitetin rural Karnes Siti të Teksasit, blegtorët dhe fermerët ndezin traktorët për një demonstrim në mbështetje të Presidentit Trump. Tracy Jendrusch është një prej tyre:

“Ky është traktor i vjetër, ndoshta model i vitit 1978 apo 1980. Ka 40 vjet që punon por ecën shumë mirë,” thotë fermeri.

Stërgjyshi i tij erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Polonia. Që nga ajo kohë familja është marrë me bujqësi dhe ai gjithmonë ka qenë i vetë-punësuar, si zoti Trump:

“Zoti Trump është biznesmen i pavarur. Nuk është politikan, prandaj më pëlqejnë politikat e tij,” thotë zoti Jendrusch.

380 km më në jug, në kufi me Meksikën, demokratët në qytetin Braunsvill janë mobilizuar në mbështetje të zotit Biden. David Betancourt, i cili rrjedh nga një familje hispanike, thotë se është kundër mënyrës se si qeveris Presidenti Trump:

“Donald Trump është individ i preokupuar së tepërmi me interesin personal. Kjo duket qartë dhe të gjithë jemi ngopur nga kjo,” thotë ai.

Të dyja partitë janë mobilizuar intensivisht në këtë shtet që për dekada dallohej si mishërim i konservatorizmit republikan. Për herë të fundit Teksasi mbështeti një kandidat demokrat për president në vitin 1976. Por ka ndryshime të dukshme në shtetin e dytë më të madh amerikan, thotë Jim Henson, pedagog në Universitetin e Teksasit:

“Këtë vit, në 2020, në fakt mund të shohim një shteg të ngushtë drejt fitores për zotin Biden,” thotë pedagogu.

Në Teksas ekziston dallim i thellë mes zonave rurale pro-republikanëve dhe zonave urbane që mbështesin demokratët. Por ndryshimet po ndjehen më së shumti në zonat periferike.

Në lagjet e banimit në periferi të qyteteve të mëdha që dikur mbështesnin republikanët, është rritur mbështetja për demokratët. Këto zona të kuqe po marrin ngjyrë vjollcë pasi rritja e popullatës, zhvillimi ekonomik dhe imigracioni po rezultojnë në zona më të përziera politike.

“Me zhvendosjen e banorëve nga Kalifornia në Teksas, si dhe me zhvendosjen e shumë banorëve nga qytetet drejt periferive, të tërhequr nga shkollat më të mira dhe çmimet më të ulëta për banesat, këto zona periferike po ndryshojnë politikisht,” thotë Jim Henson, Professor në Universitin e Teksasit.

Pakica si afrikano-amerikanët, latinot dhe imigrantët nga Azia lindore dhe e jugut po rriten në përqindje në periferi. Përzierja etnike e periferive rezulton në larmi më të madhe në bindjet politike.

Një tjetër faktor përveç periferive, janë edhe votuesit latino-amerikanë. Megjithëse shumica e latino-amerikanëve thonë se mbështesin demokratët, në disa raste kandidatë republikanë në Teksas kanë marrë më shumë se 40% të votës së elektoratit latino-amerikan.

Demokratët janë përballur me sfidën e pjesëmarrës së ulët të latino-amerikanëve në zgjedhje, sidomos në qytetet kufitare.

“Nëse meksikano-amerikanët dhe ata që jetojnë në zonat kufitare do të mobilizohen dhe do të dalin për të votuar, do të kishte ndikim të madh tek zgjedhjet,” thotë Jared Hockema, kryetar i degës së Partisë Demokrate në komunën Kameron.

Por republikanët që kanë dalë në paradë nuk mendojnë se Teksasi do të bëhet ndonjëherë shtet demokrat.

“Nuk mendoj se do të marrë ndonjeherë ngjyrë blu; ndoshta mund të bëhet vjollcë,” thotë Sean O’Brien, deputet në Kolegjin Elektoral.

Një anketë e fundit tregon se dy kandidatët janë pak a shumë barabar në Teksas. Zoti Henson thotë se republikanët dhe demokatët po bëjnë çdo gjë për të mobilizuar votuesit në këtë shtet, me shpresën se kjo do ta shtyjë rezultatin në avantazh të tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG