Lidhje

Temat e takimit historik SHBA-Kinë


Takimi jozyrtar mes Presidentit Barack Obama dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping dje dhe sot është i pari takim midis tyre që kur zoti Xi u bë president i Kinës. Ky aktivitet vjen në një kohë kur mosbesimi në rritje, shqetësimet rreth sulmeve kibernetike dhe çështja e trajtimit të Koresë së Veriut janë disa nga problemet që po vënë në provë lidhjet mes dy vendeve. Pavarësisht këtyre sfidave, në Kinë shpresat janë të mëdha se takimi do të jetë një moment vendimtar e historik, për të dy vendet, i cili do t’i bëjë marrëdhëniet më të qëndrueshme.

Në prag të takimit të këtyre dy ditëve, si Kina ashtu dhe Shtetet e Bashkuara theksuan vazhdimisht rëndësinë e lidhjeve mes tyre dhe nevojën për të gjetur mënyra më të mira për të bashkëpunuar. Shtetet e Bashkuara kanë një listë me shqetësime për të cilat dëshirojnë të diskutojnë. Edhe Kina ka tema të ndryshme që do të trajtojë, dhe Pekini po thekson gjithnjë e më shumë një vizion të tijin për marrëdhëniet SHBA-Kinë.

Duke folur në lidhje me atë vizion më herët gjatë kësaj jave, ambasadori i Kinës në Shtetet e Bashkuara Cui Tiankai tha se takimi do të jetë "strategjik dhe historik". Sipas një njoftimi të agjencisë së lajmeve Xinhua zoti Cui tha se bisedimet do të përfshijnë diskutime në thellësi mbi çështjet e mëdha dhe mënyrat e ndërtimit të lidhjes mes dy vendeve si dhe mbi një lloj të ri të marrëdhënieve mes dy fuqive të mëdha. Kina mendon se nëse vendet njohin publikisht njëra-tjetrën si fuqi të mëdha - një në zhvillim dhe vendi tjetër me pushtet të konsoliduar - kjo mund të shmangte konfliktet.

Pang Zhongying është profesor i shkencave politike në Universitetin Renmin të Pekinit.

“Natyra jozyrtare dhe e thjeshtë e takimit do ta bëjë atë një mundësi shumë të rëndësishme për të dyja palët. Shpresoj që të dyja palët të bëjnë histori,” thotë zoti Pang.

Paraprakisht, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se duan që të trajtohen sa më shumë çështje që të jetë e mundur gjatë takimeve të djeshme dhe sot, duke u përqëndruar në krijimin e marrëdhënieve të punës. Zyrtarët amerikanë i kanë kushtuar vëmendje idesë së re të Kinës, duke e përmendur atë në disa fjalime, por ata janë kryesisht të përqëndruar në çështje të tjera.
Zoti Pang Zhongying:

“Edhe pse zakonisht janë amerikanët ata që mendojnë për mënyra se si të përcaktohen marrëdhëniet SHBA-Kinë, këtë herë janë kinezët ata që po përqëndrohen më tepër mbi përkufizimin e këtyre marrëdhënieve. Pasi amerikanët e përmendin atë ide një herë, ata zhvendosen duke folur për çështje të tjera konkrete.”

Megjithatë, jo të gjithë besojnë se takimi do të arrijë rezultate historike.
Xie Tao, një profesor i Studimeve të Jashtme në Universitetin e Pekinit, thotë se ai beson se takimi ka të bëjë kryesisht me zhvillimin e besimit personal mes dy udhëheqësve. Ai thotë se kjo është një mundësi për të dy që të shohin nëse mund të bëhen miq.

"Kjo besoj se është arsyeja pse takimi u organizua në një mënyrë të tillë jozyrtare dhe private, ndryshe nga disa nga takimet e mëparshme midis udhëheqësve kinezë dhe amerikanë. Pra, ajo që pritet është që dy udhëheqësit të ndërtojnë besim personal dhe që ndoshta besimi të përhapet në zona të tjera. Dhe kjo do të ndihmonte zyrtarët e niveleve më të ulëta, burokratët që merren përditë me marrëdhëniet SHBA-Kinë."

Zyrtarët amerikanë thonë se temat kryesore të takimit për ta janë të drejtat e njeriut, Koreja e Veriut dhe sulmet kibernetike që sipas tyre janë ndërmarrë nga territori kinez dhe kanë përfshirë bizneset amerikane.

Wu Riqiang, një profesor i asociuar i Universitetit Renmin, thotë se ekzistojnë mënyra me anë të të cilave SHBA-ja dhe Kina mund të bashkëpunojnë për sigurinë në internet, por shton se më shumë qartësi është e nevojshme në lidhje me llojet e ndryshme të sulmeve.

Ai thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të japin më shumë informacion në lidhje me sulmet kibernetike që kanë shkaktuar humbje ekonomike.

“Asgjë nuk mund të bëhet në lidhje me piraterinë për qëllime të mbrojtjes apo të shërbimeve sekrete, sepse të gjithë janë duke e praktikuar atë. Kina po vjedh informacione, por edhe Shtetet e Bashkuara po bëjnë të njëjtën gjë. Megjithatë, dy vendet munden të gjejnë mënyra për të punuar së bashku për të mbrojtur bankat, infrastrukturat dhe rrjetet e energjisë.”

Xie Tao thotë gjithashtu se Koreja e Veriut është një tjetër temë kryesore e takimit. Sipas tij pozicioni i Kinës ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme.

"Nuk mund të lejojmë që një vend diktatorial dhe i paparashikueshëm të kryejë teste me armë bërthamore. Gjithashtu, marrëdhëniet e ngushta me një regjim si ky nuk i sjellin asgjë të mirë Kinës, dhe unë mendoj se udhëheqësit tanë tashmë e kanë kuptuar këtë. Ne kemi nevojë të ndryshojmë drejtim dhe ne po e bëjmë një gjë të tillë."

Kina ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur që Koreja e Veriut të reformojë ekonominë e saj dhe të kthehet në bisedimet gjashtë palëshe për t'i dhënë fund programeve të saj të armëve bërthamore. Në një konferencë gjatë kësaj jave, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se edhe pse ka shqetësime rreth çështjeve kibernetike, Pekini dhe Uashingtoni kanë pasur një bashkëpunim mjaft konstruktiv mbi Korenë e Veriut.
XS
SM
MD
LG