Presidenti i shkarkuar i Katalonjës u zotua të vazhdojë të luftojë për pavarësi, pasi qeveria qendrore spanjolle urdhëroi shpërbërjen e kabinetit të tij. Rajoni spanjoll i Katalonjës që dikur gëzonte një autonomi të konsiderueshme është tani nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Spanjës. Kryeministri spanjoll shpërndau parlamentin e Katalonjës vetëm disa orë pasi ai votoi të premten në favor të pavarësisë nga Spanja.
Vendimi i parlamentit rajonal u prit me duartrokitje dhe përqafime ndërmjet ligjvënësve lokalë, të cilët kënduan himnin e Katalonias. Presidenti i rajonit, Carles Puidgemont, iu drejtua të pranishmëve.
“Sot, parlamenti legjitim i vendit tonë, i krijuar nga zgjedhjet e 27 shtatorit, ndërmori një hap të pazakontë. Vendimi u mbështet nga shumica dërrmuese e përfaqësuesve politikë të zgjedhur ligjërisht nëpërmjet kutive të votimit. Qytetarë të Katalonias, ka ardhur momenti kur është përgjegjësia jonë të ruajmë pulsin e vendit, integritetin, paqen, detyrën tonë qytetare dhe dinjitetin, siç kemi bërë dhe do të bëjmë gjithnjë”, deklaroi zoti Puidgemont.
Senati i Spanjës reagoi duke miratuar zbatimin e nenit 155 të kushtetutës spanjolle, i cili autorizon qeverinë qendrore të pezullojë autoritetet katalonase dhe të marrë në dorë vetë drejtimin administrativ të rajonit.
Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy u tha gazetarëve se qeveria e Katalonjës nuk u la zgjidhje tjetër.
“Ajo që ndodhi në parlamentin katalonjas është provë e pakundërshtueshme se ishte e domosdoshme që Senati të miratonte propozimin tonë. Parlamenti katalonjas ka miratuar diçka që për shumicën e njerëzve, jo vetëm është e kundraligjshme, por është edhe shkelje penale, duke deklaruar diçka që nuk është e mundur – pavarësinë e Katalonjës”, tha Kryeministri i Spanjës.
Rezoluta e parlamentit rajonal të Katalonjas i dha fund pasigurive rreth pavarësisë së Katalonjës, pas referendumit të 1 tetorit, gjatë të cilit 90% e votave ishin në favor të pavarësisë, por pjesëmarrja e votuesve ishte në nivelin 50%.
Zoti Puidgemont mund të përballet me 25-vjet burgim. Qeveria qendrore ka burgosur tashmë dy udhëheqës separatistë dhe prokuroria po heton zyrtarë të tjerë për shpërdorimin e fondeve publike në mbështetje të kërkesës për pavarësi.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara kanë shprehur mbështetje për qeverinë spanjolle. Në një deklaratë të zëdhënëses së Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se “... Shtetet e Bashkuara mbështesin masat kushtetuese të qeverisë spanjolle për të mbajtur Spanjën të bashkuar dhe të fortë”.
Facebook Forum