Lidhje

Ekipet në Teksas vazhdojnë kërkimin nën rrënoja


Ata kanë zbuluar deri tani 12 trupa dhe autoritetet thonë se mbi 200 të tjerë janë plagosur

Ekipet e shpëtimit në Teksas vazhduan kërkimin në rrënojat e shpërthimit për persona që mund të kenë mbijetuar pas incidentit që rrafshoi banesa e biznese në qytezën West.

Ata kanë zbuluar deri tani 12 trupa dhe autoritetet thonë se mbi 200 të tjerë janë plagosur. Ka plot të tjerë që figurojnë të humbur. Rreth 80 shtëpi brenda rrezes ku është ndjerë shpërthimi janë shkatërruar, ose dëmtuar rëndë.

Mendohet që shpërthimi të jetë shkaktuar nga zjarri. Hetuesit janë të shqetësuar lidhur me kimikatet që gjenden në vendin e shpërthimit dhe që mund të jenë të rrezikshme. Në vendin e ngjarjes është çuar një ekip i Rojes Kombëtare, për monitorimin e çlirimit të gazeve të dëmshme.

Guvernatori i Teksasit Rick Perry e cilësoi shpërthimin vdekjeprurës të së mërkurës në uzinën e plehrave “një skenar të vërtetë tmerri”. Ai tha se informacionet lidhur me viktimat janë ende në fazë fillestare.

Sipas guvernatorit Perry, Presidenti Obama ka ofruar ta deklarojë pa vonesë qytezën West një zonë katastrofe, gjë që e bën të mundur që komuniteti të përfitojë nga ndihmat federale.

XS
SM
MD
LG