Lidhje

Thellohet kriza e emigrantëve në ishullin grek


Emigrantët ecin përgjatë qytetit Mitilini, në ishullin Lesbos, (14 shtator 2020)

Zjarri që shpërtheu një javë më parë në kampin Moria në ishullin Lesbos të Greqisë, ku strehohen rreth 12 mijë refugjatëve, e thelloi edhe më shumë krizën e emigrantëve në Evropë. Banorët e zonës kërkojnë largimin e të ardhurve, duke thënë se u ka sosur durimi. Kundër kësaj kërkese nuk janë as vetë emigrantët, të cilët po mbahen në kamp pa dëshirën e tyre. Por, jo të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian hapin dyert për ta. Kjo çështje vazhdon të shkaktojë ndasi në familjen më të madhe evropiane dhe nxjerr në pah domosdoshmërinë e arritjes së një politike të përbashkët.

Banorët në ishullin grek Lesbos, bashkëjetojnë me krizën e emigrantëve që nga viti 2015.

Ata që jetojnë në fshatin Panagiouda, që ndodhet përballë kampit të përkohshëm të emigrantëve, po kërkojnë largimin e të huajve.

Kërkesat e tyre u shtuan sidomos pas zjarrit që dogji kampin Moria para një jave. Besohet se zjarri u shkaktua nga emigrantë të pakënaqur.

“Situata është vërtetë e tmerrshme dhe gjërat po përkeqësohen. Prandaj, edhe kampin e ri do ta djegin prapë me kalimin e kohës. Njerëzit duan të largohen, duhet t’i lejojnë të largohen me varka, të shkojnë ku duan. Përse po i mbajnë këtu? Sa më shumë të qëndrojnë aq më të burgosur do të ndjehen,” thotë 87-vjeçari Prokopis Tsagkaris, banor i fshatit Panagiouda.

Policia greke njoftoi arrestimin e gjashtë emigrantëve me dyshimin se shkaktuan zjarrin që rrafshoi kampin.

Më shumë se 12,000 njerëz, kryesisht refugjatë nga Afganistani, Afrika dhe Siria, mbetën pa strehë, qasje në objekte higjieno-sanitare, ushqim dhe ujë.

Thellimi i krizës vuri në lëvizje autoritetet në Evropë.

“Kjo është një sfidë e zakonshme për Evropën. Nga fundi i muajit, Komisioni Evropian do të paraqesë një propozim të ri dhe konkret. Duhet të jemi më të përkushtuar në mënyrë që të jemi më të efektshëm”, tha Presidenti I Këshillit të Bashkimit Evropian gjatë një vizite në ishullin Lesbos.

Gjermania njoftoi se është e gatshme të marrë 1553 emigrantë të bllokuar, në shenjë solidariteti me Greqinë, shtet anëtar i BE-së.

“Ky është një veprim që Gjermania e merr si një vend përgjegjshëm evropian që bën gjënë e duhur. Sigurisht, përgjegjësitë evropiane se nuk përfundojnë me kaq,” tha nënkancelari i Gjermanisë njëherësh minister i Financave, Olaf Sholz.

Çështja e emigracionit vazhdon të ndajë BE-në, e cila nuk ka arritur të hartojë një politikë të përbashkët azili pesë vjet pasi kancelarja gjermane Angela Merkel hapi dyert e Gjermanisë për 1.2 milion njerëz që kërkuan mbrojtje.

Për shumë vite Lesbos dhe ishuj tjerë më pranë bregjeve të Turqisë janë portat kryesore të hyrjes së emigrantëve në Evropë, me pikun e arritur në vitet 2015-2016. kur afër një million njerëz zbarkuan nga një numër shumë i madh anijesh.

Në fillim banorët mirëpritën emigrantët edhe në shtëpitë e tyre, por pasi kampi Moria u mbingarkuara durimi filloi të zbehej.

“Është e trishtueshme por s’kemi çfarë të bëjmë. Nga njëra ana na vjen keq për ta por në anën tjetër duam të largohen”, thotë pensionisti Thoma, i cili jeton në fshatin Panagiouda.

Autoritetet lokale thonë se barra e emigrantëve është e papërballueshme.

Banorët fajësojnë emigrantët për shtimin e incidenteve dhe vjedhjeve, ndërsa ndihen të braktisur nga partnerët e Greqisë në BE.

Ata thonë se nuk duan një objekt të ri për të zëvendësuar kampin e djegur. Preferojnë shpërndarjen e emigrantëve.

Industria e turizmit në ishuj, ndonëse ishte rimëkëmbur pas krizës së emigrantëve në vitin 2015, është goditur prapë nga pandemia e COVID-19, që shkaktoi reduktim prejt 90 për qind të numrit të turistëve.

Ndërsa 86 mijë banorët e ishullit Lesbos dhe emigrantët bashkëjetojnë pa vullnetin e tyre, Bashkimi Evropian po dështon të arrijë një marrëveshje midis vendeve si Greqia dhe Italia që kërkojnë shpërndarjen e barrës në bllok dhe vende tjera që nuk pranojnë refugjatë.

Qeveria konservatore e Greqisë mundohet të kontrollojë problemin. Ekzekutivi këtë vit largoi nga kampet në Lesbos rreth 13 mijë e 500 njerëz ndërsa deri tani ka pasur 4 mijë e 280 arritje të reja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG