Lidhje

TI: Anti-korrupsioni duhet të jetë në fokus të luftës kundër ekstremizmit


Transparency International thotë se korrupsioni është një nga shkaqet rrënjësore të ekstremizmit të dhunshëm.

Organizata, e cila merret me anti-korrupsionin thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet ta bëjë luftën kundër korrupsionit një përparësi të lartë në betejën e vazhdueshme kundër grupeve ekstremiste si Shteti Islamik dhe Boko Harami.

Në një raport të publikuar të martën Transparency International thotë se nga korrupsioni në qeveri përfitojnë elementët ekstremistë, të cilët shfrytëzojnë zemërimin publik për të rekrutuar njerëz në radhët e tyre, për të mundësuar trafikun e armëve, dhe për të minuar institucionet publike si ushtrinë. Si rezultat, qeveria nuk është e aftë t’i kundërvihet kërcënimit të ekstremistëve.

"Komuniteti ndërkombëtar bën përpjekje të mëdha për të goditur ‘ideologjinë’ e grupeve si ISIS, duke u përqëndruar në retorikën fetare që ata prodhojnë, por ata lënë plotësisht në harresë rrethanat materiale në të cilat këto grupe lulëzojnë", thotë Katherine Dixon, drejtore e Transparency International për Mbrojtjen dhe Sigurinë.

Raporti citon aftësinë e luftëtarëve të Shtetit Islamik për të marrë në 2015 Mosulin, një qytet i rëndësishëm irakian, ndërkohë që militantët morën nën kontroll pjesë të mëdha të Irakut verior, perëndimor dhe pjesë të Sirisë lindore. Mosuli ra shpejt, pjesërisht për shkak se forcat irakiane nuk ishin në gjendje të mbronin qytetin që sot është në qendër të një ofensive të madhe ushtarake për ta rimarrë atë nga duart e militantëve.

Shteti Islamik gjithashtu e shfrytëzoi me sukses mungesën e stabilitetit në Libi, që ka vazhduar që nga përmbysja e Moamar Gadafit, edhe pse ky grup ka humbur shumë zona që dikur i kontrollonte atje.

Transparency International thotë se ekstremistët në Libi kanë fituar legjimitet duke shfrytëzuar problemin e korrupsionit dhe paaftësinë e qeverisë së tranzicionit për ta luftuar korrupsionin dhe për të krijuar një mjedis të qëndrueshëm të sigurisë për libianët.

Raporti gjithashtu citon grupin militant nigerian Boko Haram, duke thënë se në vitet e tij të hershme organizata kishte përqafuar retorikën kundër korrupsionit dhe kundër elitës politike.

"Abuzimet nga ana e forcave të sigurisë dhe niveli i lartë i korrupsionit në ushtri kanë legjitimuar mesazhin e grupit," thotë raporti.

Në rastin e Shtetit Islamik, Transparency International thotë se në mesazhet e saj kjo organizatë prezantohet si e pastër në krahasim me qeveritë e korruptuara në vendet e Lindjes së Mesme.

"Mesazhi i ISIS është i qartë: qeveritë në pushtet janë të korruptuara dhe u shërbejnë interesave të një grupi të vogël të përfaqësuesve të elitës. Ato nuk u ofrojnë shërbime të mira qytetarëve të tyre; ISIS, nga ana tjetër, është i fokusuar në drejtësi, qeverisje të mirë dhe shërbime të mira për qytetarët," thotë raporti.

Transparency International thotë se këto mesazhe gjejnë mbështetje në mesin e irakianëve dhe sirianëve të cilët kanë përjetuar "ndërhyrje të dhunshme nga forca të huaja dhe dekada të pabarazive sektare."

"Ajo që është më shqetësuese në lidhje grupin nuk është fanatizmi i tij, por aftësia e tij për të bashkuar fanatizmin fetar me mesazhe që gjejnë mbështetje në mesin e publikut të zemëruar, për të frymëzuar reagime me dhunë".

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG