Lidhje

Kujtimet e Tienanmenit, kinezët kërkojnë refoma


Këtë javë shënohet 24 vjetori i shtypjes së përgjakshme të protestuesve në Sheshin Tienanmen të Pekinit

Këtë javë shënohet 24 vjetori i shtypjes së përgjakshme të protestuesve në Sheshin Tienanmen të Pekinit nga partia komuniste kineze. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Ide, na informon nga kryeqyteti i Kinës se ndërsa partia nuk po tregon shenja ndryshimesh në qendrimin e saj ndaj protestave, thirrjet për më shumë hapje politike dhe indinjata e publikut ndaj qendrimit të zyrtarëve vazhdon.

Kur studentët protestues manifestuan në Sheshin Tienanmen në vitin 1989 lindën mjaft shpresa se në Kinë do të bëheshin reforma. Tani, mbi dy dekada më pas, refoma është bërë një fjalë e shëmtuar, thotë historiani kinez, Zhang Lifan.

Aktualisht, refomë do të thotë që zyrtarët t’u marrin tokën qytetarëve dhe të ndërtojnë distrikte të reja për të nxitur rritjen ekonomike, thotë ai.

“Në vitet 80 reforma ishte një fjalë që e mbështesnin dhe e admironin të gjithë. Mendimi reformist dhe procesi i reformës ishin koncepte pozitive. Tani nuk është e njejta gjë, reforma është një koncept shtypës”.

Kur protestuesit dolën në Sheshin Tienanmen në vitin 1989, publiku ishte shumë i shqetësuar edhe për korrupsionin që ende vazhdon. Partia Komuniste thotë se ai është bërë kërcënim për vetë ekzistencën e saj.

David Kelly është me China Policy.

“Korrupsioni është tani ndryshe, është në thelb të organizimit, është i një stili mafioz, është familjar. Në vitet 80’ krijonte të ardhura, njeriu thyente rregullat për një farë fitimi monetar duke bërë diçka privatisht që i shërbente procesit të reformës e kështu thyhej edhe bllokimi i ofertës”.

Partia Komuniste i quajti protestat rebelim kundër revolucionar. Ende nuk dihet se sa u vranë në protesta, por llogaritjet shkojnë nga disa qindra në disa mijëra.

Kur u bëhet presion, zyrtarët kinezë fokusohen në ndryshimet që ka bërë Kina që nga ajo ditë, siç janë reformat ekonomike. Ata flasin gjithashtu për demokraci, edhe pse Partia Komuniste drejton e vetme Kinën.

Sot ka më pak kontroll të hapur mbi shoqërinë se sa në fund të viteve 80’, thotë historiani kinez, Zhou Duo.

“Kontrolli në vitet 80’ mbi mendimin dhe informacionin ishte shumë më i ashpër. Liria sot në Kinë është në rritje, por ende nuk ka liri politike. Shtypja e ideve politike dhe pikpamjeve të ndryshme është shumë e fortë”.

Po të bëjë dikush sot atë që bënë studentët në Sheshin Tienanmen, përfundon shumë shpejt nën arrest pa iu ngritur akuzat ose edhe në burg.

XS
SM
MD
LG