Lidhje

Lojërat Olimpike tërheqin gjithnjë e më shumë tifozë


Tifoze sviceriane
Tifoze sviceriane

Ndërsa Lojërat Olimpike kanë filluar me sukses, më shumë tifozë po tërhiqen prej tyre, ndërsa po fashitet frika se Rio nuk do ishte në gjendje të organizonte lojërat. Parku olimpik në Barra është qendra ku zhvillohen nëntë lojëra të ndryshme dhe është vendi ku po mblidhen tifozë nga e gjithë bota. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jeff Swicord njofton nga Rio de Zhaneiro.

Një ditë me diell në Rio i tërheq turmat drejt parkut olimpik në Barra.

Pati fillimisht ankesa për radhë të gjata në pikat e kontrollit gjatë ceremonisë së hapjes në stadiumin Maracana, por këto probleme po zhduken ndërsa lojërat kanë filluar.

Fryma olimpike është e kudondodhur dhe të gjithë duket se po e shijojnë. Joff Pedreti, nga shteti Uiskonsin i SHBA-së, erdhi të ndjekë lojërat e tenisit dhe gjimnastet.

“Këto janë olimpiket e dyta që ndjek. Para katër vitesh shkova në Londër, ku ja kalova shkëlqyeshëm dhe mendova ta përsëris këtu në Rio.”

Në parkun olimpik në Barra zhvillohen nëntë sporte të ndryshme. Është edhe një vend argëtues për tifozët e mbledhur nga mbarë bota.

Timm Jamieson nga shteti Virxhinia i SHBA-së, po ndjek lojërat olimpike për të 14-tën herë. Që nga lojërat verore të vitit 1992 në Barcelonë, ai tashmë ka hobi shkëmbimin e stemave të Lojërave Olimpike.

“Kuptova se këtu është mjedisi për shkëmbime me njerëz nga vende të tjera edhe pa e ditur gjuhën. Është aspekti social i lojërave.”

Stemat e olimpikeve prodhohen në stile të ndryshme dhe koleksionistët nga vende të ndryshme janë në kërkim të stemës që iu mungon.

“Nëse nuk ka ndonjë aktivitetet në mëngjes, këtu është vendi ku takohem me miqtë që kam njohur.”

Sidoqoftë, janë vetë aktivitetet atletike që tërheqin turma nga e gjithë bota.

Familja Stjepanoviç nga Beogradi i Serbisë, kanë ardhur të ndjekin djalin e tyre notar, Velimirin. Ai konkuroi në lojërat e Londrës, por e fejuara nga Afrika e Jugut po e ndjek për herë të parë në Olimpike.

“Është e jashtëzakonshme kur e përjeton vetë në qendrën e lojërave në ujë, e cila është e veçantë. Jam e lumtur që kam ardhur ta mbështes.”

Turmat vazhdojnë të qëndrojnë në park deri në mbrëmje, kur fillojnë disa nga aktivitetet kryesore. Kjo është një shenjë e mirë deri më tani, në këto Lojëra Olimpike për të cilat u mendua se do të kishte shumë probleme.

XS
SM
MD
LG