Lidhje

Tillerson komenton për strategjinë e re në Afganistan

  • Cindy Saine

Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, thotë se Presidenti Donald Trump i ka fuqizuar komandantët amerikanë në Afganistan për të marrë vendime bazuar në situatën në terren. Kjo, thotë ai, do të ndryshojë dinamikën e luftës më të gjatë të Shteteve të Bashkuara. Siç na njeh materiali në vazhdim, shefi i diplomacisë amerikane e pranon se kjo mund të jetë një luftë që Shtetet e Bashkuara nuk mund ta fitojnë vetëm në fushën e betejës.

Strategjia e Presidentit Donald Trump për luftën në Afganistan ka fituar mbështetje të fuqishme nga shefi i diplomacisë amerikane, Rex Tillerson, i cili thotë se nuk do të bazohet në afate kohore artificiale, por në kushtet në terren:

“Luftimet do të kryhen nga forcat afgane. Por ne besojmë se do të ndryshojmë kahjen e asaj që ka qënë një betejë në humbje gjatë 18 muajve të fundit dhe të paktën të stabilizojmë situatën.”

Por zoti Tillerson e pranon se edhe kjo qasje e re mund të mos sjellë fitore të plotë ushtarake, duke u bërë thirrje talebanëve për të marrë pjesë në tryezën e negociatave:

“Presidenti ishte i qartë, e tërë kjo përpjekje synon të ushtrojë presion ndaj talebanëve, që ata nuk do të fitojnë në fushën e betejës. Ne mund të mos fitojmë por as ata nuk do të fitojnë.”

Zoti Tillerson pajtohet me presidentin se problemet komplekse të Afganistanit mund të zgjidhen vetëm përmes një qasje rajonale, përfshi Indinë dhe Pakistanin. Por ai tha se Pakistani duhet të ndryshojë qasjen ndaj terroristëve. Disa analistë pajtohen, siç është David Sedney, i cili foli për sherbimin urdu të Zërit të Amerikës:

“Pakistani duhet të ndërmarrë hapa të vendosur për të mos e lejuar udhëheqjen e grupit taleban që të mblidhet në atë vend. Të ndalojë kalimin e armëve nga Pakistani në Afganistan. Tani, Pakistani e di që nuk mund ta zgjasë më.”

Ndërsa analisti tjetër, William Goodfellow tha po për shërbimin Urdu të Zërit të Amerikës se nuk shikon ndryshime të mëdha të strategjisë në Afganistan.

“Arsyeja që po shtojnë trupat është sepse janë të shqetësuar se talebanët kanë nismën ndërsa gjeneralët amerikanë po thonë, ‘kemi një ngërç.’ Ne nuk kemi ngërç, pala amerikane po humbet. Ndaj mendoj se shtimi i trupave do të përpiqet të krijojë një ngërç dhe prej kësaj pike të fillojë faza për një zgjidhje të negociueshme.”

Një zgjidhje e negociuar me sa duket do të ishte e mirëpritur nga shumë njerëz në Afganistanin e lodhur nga lufta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG