Lidhje

Sekretari Tillerson akuzon Rusinë për politikën e saj energjitike


Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson dhe Ministri i Jashtëm polak Jacek Czaputowicz

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, akuzoi Rusinë se e përdor energjinë si një “mjet politik” në Evropë. Ai u takua me homologun e tij sot në Varshavë, të Polonisë.

Gjatë një konference për shtyp pas bisedimeve, Sekretari Tillerson tha se Shtetet e Bashkuara janë kundër gazsjellësit Nord Stream 2, një projekt i propozuar që do të lidhte Rusinë me Gjermaninë. Disa vende të Evropës Lindore janë gjithashtu kundër këtij gazsjellësi, i cili do t’i dhuronte Rusisë kontroll edhe më të madh të tregut të gazit natyror.

Sekretari Tillerson tha se: “Ashtu si Polonia, edhe Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë gazsjellësin Nord Stream 2. E shohim si një sabotim të sigurisë së përgjithshme energjitike të Evropës dhe si një ndihmesë tjetër për Rusinë që të përdorë energjinë si një mjet politik”.

Vizita e zotit Tillerson në Poloni zhvillohet në kohën kur Shtetet e Bashkuara po rrisin eksportin e gazit të lëngshëm natyror drejt Evropës Qendrore, duke balancuar kështu kontrollin që ushtron Rusia mbi furnizimin me energji.

Zyrtarë të lartë amerikanë janë shprehur se Uashingtoni do të ndihmojë vendet evropiane të diversifikojnë furnizimin e tyre me energji, në mënyrë që të mos ndërvaren vetëm nga Rusia.

Më 7 qershor 2017, mbërriti në Poloni ngarkesa e parë e gazit të lëngshëm amerikan në Evropën Qendrore. Departamenti i Shtetit tha në atë kohë se Uashingtoni “ka bashkëpunuar me partnerët evropianë për të diversifikuar energjinë evropiane nëpërmjet burimeve të reja të gazit natyror”.

Bisedimet ndërmjet Sekretarit Tillerson dhe Ministrit të Jashtëm polak Jacek Czaputowicz u zhvilluan përpara se zoti Tillerson të vendoste një kurorë dhe të mbante një fjalim tek Monumenti i Kryengritjes së Getos së Varshavës, në përkujtim të 73-vjetorit të çlirimit të Aushvicit. Sekretari Tillerson u shpreh se gjenocidi që u bë në kampet gjermane të përqëndrimit në Poloni, nuk duhet të ndodhë kurrë më. Gjatë fjalimit të tij ai tha se “Aleanca Perëndimore që lindi nga Lufta e Dytë Botërore i është përkushtuar garantimit të sigurisë për të gjithë..”

Përpara se të përmbyllte udhëtimin e tij në Evropë dhe të nisej drejt Uashingtonit, zoti Tillerson u takua sot edhe me Kryeministrin polak Mateusz Morawiecki dhe kryetarin e Partisë Ligj dhe Drejtësi, Jaroslaw Kaczynski.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG