Lidhje

Sekretari Tillerson, vizitë zyrtare në Indi


Sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson javën e ardhshme do të vizitojë zyrtarisht Azinë Jugore, për herë të parë që kur Shtëpia e Bardhë parashtroi një strategji të re për rajonin. Vizita përfshin një ndalesë në Indi, marrëdhëniet e së cilës me Shtetet e Bashkuara janë shndërruar në një aleancë, duke ngjallur dyshimet e vendeve fqinje të Indisë.

Shtetet e Bashkuara dhe India përdorin terma të ndryshëm për të përshkruar marrëdhëniet e tyre këto kohë. Por një frazë që figuron askund është “aleancë”. Në fakt, zyrtarët amerikanë dhe indianë përpiqen shumë për të shmangur përdorimin e fjalës.

NARENDRA MODI

“Do të mbetem një partner i vendosur dhe vendimtar” tha kryeministri indian Narendra Modi.

Ndërsa Presidenti Donald Trump e quajti zotin Modi, një mik të vërtetë.

Kjo mund të duket si një hollësi diplomatike, por në realitet pasqyron statusin historik të Indisë.

“India heziton të quhet aleat i cilitdo vendi, dhe arsyeja është historia e Indisë si koloni” thotë analistja Arpana Pande.

Kjo mund të ndryshojë.

Tregtia mes Shteteve të Bashkuara dhe Indisë është gati gjashtë fish më shumë se sa ishte në vitin 2000.

Dhe Shtetet e Bashkuara kohët e fundit e shpallën Nju Delhin si një “partner të rëndësishëm të mbrojtjes”.

Në një fjalim të mërkurën, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha se donte të shkonte më tej.

“Administrata Trump është e vendosur të thellojë në mënyrë dramatike partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Indisë” tha Sekretari Tillerson.

Sekretari Tillerson gjithashtu zemëroi Kinën kur ai tha se India duhet të mbështesë një “rend ndërkombëtar rregullash”, rend të cilin Shtetet e Bashkuara thonë se Kina po përpiqet ta dobësojë.

Ministria e jashtme e Pekinit u kundërpërgjigj, duke thënë se ajo i mirëpret marrëdhëniet Shtetet e Bashkuara-Indi, për sa kohë që ata të jenë “të favorshme për paqen dhe stabilitetin”.

“Ne shpresojmë se Shtetet e Bashkuara të mund ta shohin zhvillimin dhe rolin e Kinës në çështjet ndërkombëtare në një mënyrë objektive dhe të braktisin paragjykimet ndaj Kinës” tha Lu Kang, zëdhënës i ministrisë së jashtme kineze.

Pakistani, rivali gjeopolitik i Indisë, është gjithashtu skeptik për lidhjet e përmirësuara mes Shteteve të Bashkuara dhe fqinjit të tyre.

Kjo është e gjitha pjesë e një akti balancues të ndërlikuar për Sekretarin Tillerson, në një rajon që është gjithnjë e më i rëndësishëm për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG