Lidhje

Tillerson: Presidenti do rindërtimin e lidhjeve me Rusinë


Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha se presidenti Donald Trump i ka kërkuar të vazhdojë përpjekjet për të rindërtuar marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Rusinë dhe të mos lejojë të pengohet nga zhurma që rrethon hetimet ende në proces lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje. Deklarata vjen në një kohë kur pritet që nesër të zhvillohet një seancë dëgjimore në Kongres me drejtorin e shkarkuar të FBI-së James Comey.

Pyetjet rreth hetimeve mbi bashkëpunimin e mundshëm mes zyrtarëve të fushatës së zotit Trump dhe Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, e ndoqën Sekretarin e Shtetit Tillerson edhe në Zelandën e Re, ku ndodhej për vizitë zyrtare.

Zoti Tillerson tha se presidenti i kishte kërkuar që të përqëndrohet në rindërtimin e besimit me Moskën, që siç tha, ndodhet në pikët më të ulët.

"Presidenti ka qenë i qartë për mua: "Mos lejo që ajo që po ndodh këtu në sferën politike të të ndalë punën që duhet të bësh për këtë marrëdhënie. Ai ka qenë mjaft i qartë, që të vazhdoj me shpejtësi, në fushat që unë mendoj se mund të bëjmë progres ", tha sekretari i shtetit Rex Tillerson.

Ndërkohë në Uashington zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert tha se lufta kundër Shtetit Islamik është një nga fushat e bashkëpunimit të mundëshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

"Ne do të identifikojmë fushat me interes të përbashkët ku mund të punojmë, por e rëndësishme është të dimë edhe fushat për të cilat nuk biem dakord me Rusinë. Ne do të vazhdojmë t’u qëndrojmë interesave tona, vlerave tona dhe të partnerëve tanë.

Por hetimet me të papritura të forta të mundëshme, mund ta bëjnë të vështirë për zotin Tillerson që të shënojë progres në mardhëniet me Rusinë.

"Ai mund të provojë, por supozimi im është se politikisht nuk do të jetë realiste. Deri në një farë mase, “një re” pyetjesh “varet” mbi administratën lidhur me çështjen e marrëdhënieve me Rusinë. Mendoj se shumë prej tyre janë të vetë-shkaktuara prej administratës sepse presidenti fatkeqësisht dhe Shtëpia e Bardhë, i kanë trajtuar shqetësimet në një mënyrë që të jep të kuptosh sikur po përpiqen të fshehin diçka ", thotë Steven Pifer i institutit Brookings.

Sipas zotit Pifer çdo përmirësim i vërtetë në marrëdhëniet SHBA-Rusi do të kërkonte një ndryshim të madh në politikën e Moskës ndaj Ukrainës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG