Lidhje

Tillerson: Kam besim tek marrëdhënia me presidentin


Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson thotë se nuk është i shqetësuar për postin e tij, pasi presidenti shkarkoi drejtorin e FBI-së James Comey.

“Kam një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin,” tha zoti Tillerson në një intervistë për emisionin “Meet the Press” të rrjetit NBC. “Unë i kuptoj objektivat e presidentit. Kur kam diçka të paqartë, e diskutoj me të”.

Zoti Tillerson i bëri komentet ndërkohë që presidenti përgatitet për udhëtimin e tij të parë jashtë vendit. Të premten ai shkon në Arabinë Saudite për diskutime me Mbretin Salman, dhe më pas në Izrael për takim me Kryeministrin Benjamin Netanyahu lidhur me kërcënimet e sigurisë në Lindjen e Mesme. Po gjatë turneut të tij, Presidenti Trump do të vizitojë edhe Papa Françeskun në Vatikan dhe do të takohet me udhëheqës botërorë në NATO dhe në takimin ekonomik të Grupit të 7-shes.

“Unë jam i përkushtuar për të ndihmuar presidentin që të përmbushë objektivat e tij, që të arrijë sukses. Unë e kam të qartë se duhet të punoj për të ruajtur besimin që ka presidenti tek unë, si dhe veprimet që duhet të bëj për të përmbushur detyrën në Departamentin e Shtetit në mënyrë konsistente me drejtimin që ai synon për vendin,” tha sekretari i shtetit.

Sekretari Tillerson tha se rrëmuja politike që pasoi shkarkimin e drejtorit të FBI-së, zotit James Comey nuk ndikon tek marrëdhënia e tij me presidentin.

“Unë nuk do të bëj kurrë kompromis me vlerat e mia. Kjo është e vetmja linjë që ndjek. Vlerat e mia përputhen me vlerat e vendit tim,” tha zoti Tillerson.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG