Lidhje

Tillerson, marrëdhënie më të mira me Turqinë


Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson shprehu shpresë se marrëdhëniet e acaruara mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë kanë hyrë në rrugën e përmirësimit. Duke folur në Stamboll, ku ndodhet që prej ditës së djeshme, zoti Tillerson tha se të dy vendet duhet të bashkëpunojnë për të vendosur sigurinë në Sirinë veriore.

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson tha sot se do të dëshironte që marrëdhëniet SHBA-Turqi të forcohen më tej dhe dy vendet të bashkëpunojnë për çliruar Sirinë veriore nga ekstremistët.

Por të dy vendet kanë mosmarrëveshje rreth forcave kurde në veri të Sirisë, që Turqia i sheh si kërcënim për sigurinë e saj kombëtare, ndërsa Shtetet e Bashkuara i kanë aleatë në luftën kundër Shtetit Islamik.

Duke folur dje në Stamboll, në prag të një vjetorit të grushtit të dështuar të shtetit, Sekretari Tillerson përgëzoi popullin turk që i doli në mbrojtje demokracisë, por ai nuk i përmendi masat drastike shtypëse që ndërmori qeveria turke pas grushtit të shtetit.

“Atë ditë njerëzit ushtruan të drejtën e tyre të garantuar nga Kushtetuta e Turqisë. Ata i dolën në mbrojtje vendit të tyre dhe ne do ta kujtojmë këdo që u plagos apo humbi jetën atë natë”.

Këto komente, zoti Tillerson i bëri të djelën në një konferencë për naftën në Stamboll.

Grushti i shtetit dështoi pasi mijëra turq dolën në rrugë më 15 korrik të vitit të kaluar, duke iu përgjigjur thirrjes së presidentit Erdogan për të mos lejuar rrëzimin e tij nga pushteti. Grushti i Shtetit udhëhiqej nga një grup ushtarakësh. Më shumë se 240 njerëz, shumë prej të cilëve civilë, humbën jetën atë natë, në përplasjet e përgjakshme ndërmjet policisë dhe ushtrisë.

Që nga korriku i vitit të kaluar, më shumë se 100,000 njerëz janë pezulluar apo pushuar nga puna në Turqi, si në sektorët shtetërore, ashtu edhe ato private, ndërsa mbi 40,000 të tjerë janë burgosur me akuza të ndryshme, që nënkuptojnë përfshirje në grushtin e shtetit.

Qeveria turke i ka justifikuar këto masa si të domosdoshme për siguruar rendin, por grupet për të drejtat e njeriut në Turqi thonë se presidenti dhe mbështetësit e tij po e përdorin grushtin e shtetit si një pretekst për të mbytur zërat kundër. Ata deklaruan gjithashtu se autoritetet në burgje nuk kanë siguruar kujdesin e nevojshëm shëndetësor dhe ushqim për të burgosurit si dhe kanë ushtruar tortura çnjerëzore.

Pas Turqisë Sekretari i Shtetit, Tillerson do zhvillojë edhe një vizitë katër ditore në Kuvajt, Katar dhe Arabinë Saudite ku tema kryesore e diskutimeve do të jetë kriza e Gjirit Persik dhe sanksionet e ashpra që Arabia Saudite dhe aleatët e saj kanë vendosur ndaj Katarit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG