Lidhje

Sekretari Tillerson: SHBA mbeten të përkushtuara ndaj sigurisë në Europë

  • Laura Konda

Në fjalën që mbajti në Qendrën Wilson të Washington, Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson foli për rëndësinë e veçantë që merr aleanca mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës, në kushtet kur ato përballen me kërcënimin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe Iranit, me rrezikun e terrorizmit, të sulmeve kibernetike dhe me përpjekjet e Rusisë për të shfrytëzuar problemet e vendeve të Europës Juglindore, për të penguar projektin europian.

Në prag të turneut të tij javën e ardhshme në disa vende europiane, Sekretari Tillerson i bëri një ekspoze politikës së jashtme amerikane ndaj Europës.

Uashingtoni, tha ai, mbetet i përkushtuar ndaj sigurisë evropiane, duke përmendur si një prej kërcënimeve kryesore sjelljen agresive të Rusisë ndaj vendeve fqinjë. Rusia, tha ai, ka shkelur sovranitetin e vendit më të madh të Europës, Ukrainës dhe ne i bëjmë thirrje Moskës të respektojë premtimet që ka bërë bazuar në Marrëveshjen e Minskut, për të kthyer paqen në Ukrainën Lindore:

“Ndërsa Perëndimi përpiqet të ketë një marrëdhënie të re produktive me Rusinë pas periudhës sovjetike, deri tani ajo është provuar të jetë e vështirë të arrihet; të dyja përpjekjet e administratës së mëparshme për të rivendosur marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara me Europën u pasuan me pushtimin nga Rusia të fqinjëve të vet, Gjeorgjinë në vitin 2008 dhe Ukrainën në vitin 2014”, tha zoti Tillerson.

Sekretari i Shtetit tha se Rusia po përpiqet të vendosë një balancë të re ekuilibrash e të imponojë me forcë vullentin e saj përmes arsenalit të vet bërthamor apo duke bërë aleanca me regjime shtypëse, si ai i Bashar Al Asadit.

Ai the se Moska shpesh ka zbatuar taktika keqdashëse për t’i përçarë Shtetet e Bashkuara dhe Europën dhe për të minuar sukseset politike dhe ekonomike të arritura pas fundit të Luftës së Ftohtë.

“Të përdorësh politikën kur është fjala për furnizimin me energji, të kryesh sulme kibernetike dhe fushata dezinformuese për të minuar zgjedhjet e lira dhe të drejta, apo frikësimi i diplomatëve, këto nuk janë sjellje të një vendi të përgjegjshëm”, - tha zoti Tillerson.

Sekretari amerikan i Shtetit tha se marrëdhëniet e sigurisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës janë të patundura dhe se SHBA do të mbajnë premtimin e bërë, në rast të një sulmi ndaj ndonjë vendi aleat.

Lidhur me Evropën Juglindore, Sekretari Tillerson tha se Shtetet e Bashkuara janë të ndërgjegjshme për brishtësinë e vendeve Ballkanike dhe se do të vazhdojnë të punojnë me Bashkimin Europian për të konsoliduar stabilitetin, mirëqenien dhe demokracinë në këtë rajon.

“Vendeve ballkanike ne u themi “braktisini armiqësitë e vjetra, në mënyrë që paqja të bëhet e përhershme. Ju keni shansin të drejtoni një kurs të ri të historisë. Diferencat entike midis vendeve nuk duhet të shndërrohen më në fronte konfliktesh. Shtetet e Bashkuara dhe bota dëshirojnë të shohin një brez të ri serbësh, kroatësh, shqiptarësh, boshnjakësh, kosovarësh dhe të tjerë, që të falin atë që ka ndodhur në të shkuarën, edhe në se nuk mund ta harrojnë atë kurrë”, - tha zoti Tillerson.

Javën e ardhshme zoti Tillerson do të shkojë në një turne europian, ku ai do të takohet me udhëheqësit e NATO-s, të OSBE-së dhe do të zhvillojë disa takime bilaterale.

Mesazhi që zoti Tillerson do të përcjellë në takimet me aleatët në Bruksel dhe në Vjenë do të jetë i fortë, thotë analisti Klaus Larres për Zërin e Amerikës:

"Pyetja që shtrohet është sa ndikim ka zoti Tillerson dhe sa ndikim ka Departamenti i Shtetit, kur është presidenti Trump ai që vendos edhe për politikën e jashtme dhe që nuk ka qenë një mbështetës i fortë i angazhimit amerikan në Evropë”.

Profesori Larres thotë se Presidenti Trump ka marrëdhënie jo fort të qarta me Rusinë dhe vetëm fjalët e zotit Tillerson nuk do të mund t’i sigurojnë dot aleatët evropianë.

Analisti i marrëdhënieve ndërkombëtare i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë të drejtë të këmbëngulin që marrëveshja e Minskut e vitit 2014 për vendosjen e paqes në Ukrainën lindore të respektohet, por këmbëngulja që Rusia t’ia rikthejë gadishullin e Krimesë Ukrainës nuk pritet të sjellë ndonjë rezultat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG