Lidhje

Në prag të 228 vjetorit, Departamenti i Shtetit përballet me sfida


Ndërsa Departamenti i Shtetit shënon 228 vjetorin e krijimit këtë muaj, agjencia diplomatike amerikane e gjen veten në një pikë kthese. Ajo përballet me kërcënimin e shkurtimit të thellë të buxhetit dhe një numër pozitash të larta mbeten të paplotësuara, edhe pse kanë kaluar gjashtë muaj nga ardhja e administratës së re. Departamenti i Shtetit u krijua në korrik të vitit 1789 në bazë të kushtetutës së re amerikane dhe ishte agjencia e parë qeveritare.

Problemet në Shtëpinë e Bardhë dhe zërat për një riorganizim të mundshëm të kabinetit janë shtrirë deri në Departamentin e Shtetit, të cilit i është dashur të mohojë vazhdimisht njoftimet se Sekretari i Shtetit Rex Tillerson po shikon mundësinë e dorëheqjes. Zoti Tillerson iu përgjigj vetë në komentet që bëri përkrah homologut të tij të Katarit:

Gazetari: Zoti Tillerson, a do të qëndroni në pozicionin tuaj si Sekretar i Shtetit?

Rex Tillerson: “Nuk kam plane për të shkuar diku.”

Gazetari: “Për sa kohë do të qëndroni?”

Rex Tillerson: “Përsa kohë më lejon presidenti.”

Gazetari: “Si i keni marrëdhëniet me presidentin tani?

Rex Tillerson: “Të mira.”

Disa analistë thonë se zoti Tillerson po përballet me sfida të veçanta, por shansi për të shërbyer si diplomati më i lartë i Shteteve të Bashkuara vjen një herë në jetë.

“Është një punë që mbart privilegj dhe autoritet të jashtëzakonshëm. Mbrojtja e Shteteve të Bashkuara jashtë vendit të jep një ndjenjë dhe emocion të veçantë. Mendoj dhe është e qartë se zoti Tillerson nuk ishte zgjedhja e parë për zotin Trump", thotë Aaron David Miller i Qendrës Wilson.

Disa ish diplomatë dhe ekspertë të politikës së jashtme janë të shqetësuar nga shkurtimet e mundshme të buxhetit, mosmarrëveshjet e hapura mes Sekretarit Tillerson dhe Presidentit Donald Trump dhe një numër postesh të larta që mbeten bosh dhe ndikojnë mbi moralin e 36,000 punonjësve të Departamentit të Shtetit. Zëdhënësja Heather Nauert i tha Zërit të Amerikës se këta punonjës e shohin ende punën e tyre si një mision.

“228 vjet më pas, departamenti mbetet i fuqishëm dhe i rëndësishëm, i dedikuar për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, prosperitetin ekonomik dhe sigurinë e qytetarëve tanë si asnjëherë më parë.”

Të tjerë janë të shqetësuar rreth mundësisë së mbylljes së Zyrës për Drejtësi Penale Globale. Ajo këshillon Sekretarin e Shtetit për çështje që lidhen me krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin.

“Kjo dërgon sinjalin e gabuar se Shtetet e Bashkuara po tërhiqen nga çështje të rëndësishme, qofshin ndryshimet klimatike apo parandalimi i krimeve dhe nga perspektiva e administratave të mëparshme, si demokrate ashtu edhe republikane shohim se kjo do të ketë ndikim negative në interesat amerikane në mbarë botën.”

Por zonja Nauert i tha Zërit të Amerikës se Zyra për Drejtësi Penale Globale do të vazhdojë punën megjithëse koordinatori i posaçëm Todd Buchwald nuk do të jetë më në këtë detyrë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG