Lidhje

Kandidati kryesor për sekretar shteti has kritika nga republikanët


Rex Tillerson, një figurë me peshë në biznes, që ka marrëdhënie miqësore me Presidentin e Rusisë dhe që e ka kaluar karrierën e tij 41 vjeçare në të njëjtën kompani nafte, vazhdon të jetë kandidati kryesor për t’u zgjedhur Sekretar Shteti në administratën e Donald Trumpit.

Por presidenti i zgjedhur Donald Trump mund deyrohet të zgjedhë një kandidaturë tjetër, si për shembull ish-guvernatorin e Masaçusetsit, Mitt Romney pasi mbështetja e nevojshme republikane në Senat për zotin Tillerson duket e lëkundur.

Në komentin e fundit për zotin Tillerson, Presidenti i zgjedhur shkruante të dielën në Twitter: “E zgjedh ose jo në krye të Departamentit të Shtetit, Rex Tillerson, kryetari dhe ezekutimi i ExxonMobilit është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe i zoti. Prisni për më shumë!”

Disa e interpretojnë mesazhin e tij si një sinjal se presidenti i zgjedhur e ka të qartë se çfarë vështirësish do të hasë Tillerson në seancat e konfirmimit në Senat dhe se ka mundësi që ai të zgjedhë dike tjetër, si zoti Romney ose kongresmeni Dana Rohrabacher, i njohur për aktivizmin e tij për të drejtat e njeriut.

Një nga kandidatët e mbetur në garë është edhe Jon Huntsman, që ka qenë guvernator shtetit Utah dhe ambasador në Kinë.

Mendohet se ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Bolton i dëmtoi shanset për postin, pasi la të kuptohej se akuza se Rusia ka depërtuar në kompjuterat e komiteteve kombëtare të Partive Demokrate dhe Republikane mund të kishte qenë një “alarm i rremë” i sajuar nga administrata e Presidentit Obama.

Senatori John McCain, i Komisionit për Shërbimet e Armatosura tha në disa intervista të dielën se marrëdhënia e zotit Tillerson me presidentin rus Putin “është shqetësuese”.

Para disa muajsh zoti Tillerson tha në një aktivitet në Universitetin e Teksasit, se kishte “një marrëdhënie shumë të mire me të”, pasi e njihte prej 15 vjetësh.

Në vitin 2013, zoti Putin i dha Urdhrin e Miqësisë së Rusisë zotit Tillerson, që ka negociuar marrëveshje masive me kompanitë ruse për eksplorim dhe prodhim nafte dhe gazi dhe ka kundërshtuar sanksionet amerikane ndaj Moskës.

Të hënën Kremlini, e vlerësoi zotin Tillerson, duke e quajtur “shumë professional”.

Mes njoftimeve se CIA ka nxjerrë konkluzionin se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane për të favorizuar zotin Donald Trump, emërimi i një personi për postin e Sekretarit të Shtetit me lidhje të thella ruse do të përballej me pyetje të hollësishme dhe të rëndësishme në seancat e konfirmimit në kongres.

Ka një lëvizje dypartiake në kongres për një hetim të plotë të dyshimeve për ndërhyrjen ruse në procesin zgjedhor të Shteteve të Bashkuara.

Anëtari i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Marco Rubio, ashtu si senatori tjetër republikan, John McCain, ka shprehur dyshime në lidhje me emërimin e zotit Tillerson në postin e Sekretarit të Shtetit. Ai në një koment në Tweeter thotë: “Të jesh një mik i Vladimirit nuk është cilësia që unë shpresoj të ketë një Sekretar Shteti”.

Bazuar në përbërjen aktuale të Senatit, nëse të gjithë senatorët demokratë votojnë njëzëri kundër një kandidati dhe dy republikanë të tjerë u bashkohen atyre, ata mund të bllokojnë emërimet për postet e kabinetit nga presidenti i ardhshëm.

Demokrati Ed Markey, një mbështetës i energjisë së pastër, parashikon se administrata Trump do të përballet me "një betejë të madhe, nëse Tillerson merr emërimin" duke argumentuar se "ne nuk mund të lejojmë një ekzekutiv të industrisë së naftës të zëvendësojë diplomacinë e Departamentit Amerikan të Shtetit."

Në lidhje me çështjen e ndryshimeve klimatike "Tillerson apo ndonjë kandidat tjetër do të përfaqësonte pikëpamjet e zotit Trump," thotë Bob Tippee, redaktor i revistës “Oil & Gas”. “Zgjedhja e zotit Tillerson do të provokonte edhe më tej aktivistët e ndryshimeve klimatike", thotë ai.

Zoti Tillerson, i cili pritet të largohet nga kompania e tij vitin e ardhshëm, kur ai arrin moshën e detyrueshme të pensionit, 65 vjeç, u takua me presidentin e zgjedhur Trump në fillim të këtij muaji dhe përsëri të shtunën.

"Njohuritë e zotit Tillerson për mënyrën se si funksionojnë organizatat, si një aftësi unike, mund ta ndihmojë atë që të drejtojë Departamentin e Shtetit, një institucion që ka identitetin e vet të ngurtësuar kulturor," i tha Zërit të Amerikës zoti Tippee. "Për mua kjo do të ishte një zgjedhje interesante dhe me potencial transformues."

Karriera e zoti Tillerson i ka dhënë atij aftësi të shumta të nevojshme për të qenë një kryediplomat kompetent, i cili mund të "mësojë dhe kuptojë analizat komplekse politike, mund të vlerësojë udhëheqësit e huaj, dhe duke mund të negociojë me miqtë dhe kundërshtarët tanë," thotë Steve Coll, autor i një libri mbi kompaninë e naftës “ExxonMobile”, të quajtur “Empire Private” ose “Perandoria Private”.

Kompania, e cila ka shtrirë biznesin në 50 vende, e sheh veten "si një, korporatë e pavarur ndërkombëtare e energjisë në botë, e pavarur nga qeveria amerikane, e përkushtuar në mënyrë të vendosur ndaj interesave të aksionarëve të saj dhe me politikën e saj të jashtme ", shkruan Coll në edicionin e fundit të revistës “New Yorker”.

Politika e jashtme e gjigandit të energjisë nganjëherë ka më shumë ndikim në vende të caktuara se sa Departamenti i Shtetit, thotë Coll. Ai i thekson se drejtuesit e kompanisë “Exxon” i përshkruajnë diplomatët amerikanë si kundërshtarë të marrëveshjeve të ndjeshme dhe komplekse mbi naftën dhe të paaftë për negociata komplekse për industrinë e naftës.

XS
SM
MD
LG