Lidhje

SHBA, dorëhiqet sekretari i Shëndetësisë, Price


Sekretari amerikan i Shëndetësisë Tom Price dha dorëheqjen, pasi udhëtimet e tij me avionë të kushtueshëm ishin bërë shkak për hetime dhe kishin zemëruar Presidentin Donald Trump.

As dëmshpërblimi i pjesshëm i ofruar nga ana e zotit Price për të shlyer koston e udhëtimeve çarter me avionë privatë dhe as ndjesa që ai kërkoi publikisht nuk mundën ta shpëtojnë sekretarin e Shëndetësisë nga humbja e postit.

Zoti Price bëhet anëtari i parë i kabinetit të presidentit Trump që largohet nga posti në administratën e tij të re, ku deri tani janë shkarkuar një numër ndihmësish të lartë.

Price kishte më pak se 8 muaj në detyrë.

Presidenti Donald Trump u kishte thënë bashkëpunëtorëve se sekretari i tij i shëndetësisë ishte bërë objekt shpërqendrimi, duke hedhur hije mbi axhendën e tij si president dhe duke minuar premtimin e fushatës për të ''tharë moçalin'' e korrupsionit.

Edhe disa sekretarë të tjerë të kabinetit janë përpjekur të shpjegojnë fluturimet e tyre me avionë privatë çarter, ndërkohë që një komision i Kongresit tha se do të vazhdojë hetimin e çështjes së udhëtimeve për zyrtarët e lartë qeveritarë.

Sekretari i Pyjeve, Ryan Zinke i quajti polemikat rreth udhëtimeve paksa të ekzagjeruara, por tha se taksapaguesit kanë të drejtë të dinë mbi shpenzimet e udhëtimit të zyrtarëve.

Tom Price shprehu keqardhje për çështjen dhe të enjten ofroi të dëmshpërblente pjesërisht shpenzimet, por kjo nuk e zbuti zemërimin, veçanërisht në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Trump ishte thellësisht i irrituar me zotin Price si dhe nga njoftimet që bënin fjalë për shpenzimet e udhëtimeve të shtrenjta me avion të sekretarit të shëndetësisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG