Lidhje

Kanada: 10 të vdekur nga përplasja e një furgoni mbi këmbësorët në Toronto


Policia kanadeze arrestoi një të dyshuar 25 vjeçar i cili përplasi një furgon në një trotuar të ngarkuar të hënën në Toronto, duke vrarë 10 veta dhe duke plagosur 15 të tjerë.

Shefi i policisë së Torontos, Mark Saunders, u tha gazetarëve se incidenti "përfundimisht duket të jetë i qëllimshëm".

Zoti Saunders e identifikoi të dyshuarin si Alek Minassian nga një paralagje e Torontos, por nuk dha asnjë hollësi rreth motiveve të mundshme të incidentit.

Ministri i Sigurisë Publike, Ralph Goodale, tha se është këshilluar me zyrtarë të lartë të sigurisë dhe gjykuar nga informatat e deritashme "nuk del të ketë lidhje ndërmjet sigurisë kombëtare dhe këtij incidenti".

Shoferi po i jepte makinës në një rrugë të ngarkuar rreth orës 13:30 sipas kohës lokale në një rrugë të ngarkuar në qytetin më të madh kanadez, para se të dilte në trotuar. Dëshmitarët që e përshkruan skenën thanë se ai goditi njerëzit njëri pas tjetrit dhe nuk bëri asnjë përpjekje për ta ndaluar makinën.

Alek Minassian u arrestua pak kohë më pas "pa asnjë incident".

Kryeministri kanadez Justin Trudeau, e cilësoi incidentin si "sulm tragjik dhe të pakuptimtë" dhe ngushëlloi familjarët e viktimave.

"Ne duhet te ndjehemi të gjithë të sigurt derisa ecim në qytetet dhe komunitetet tona", tha ai në një deklaratë.

Shtëpia e Bardhë tha nëpërmjet një deklarate se Shtetet e Bashkuara "qëndrojnë me popullin kanadez" dhe u zotuan për të ofruar çdo ndihmë të nevojshme.

XS
SM
MD
LG