Lidhje

Programe për të parandaluar trafikun seksual


Departamenti i Shtetit ka identifikuar 23 rajone në shkallë globale si më problematiket për trafikun me njerëz. Këtu përfshihen Bjellorusia, Republika e Afrikës Qendrore, Burundi, rajoni i Kongos, Kina, Eritrea, Irani, Koreja e Veriut, Rusia, Sudani, Siria, Uzbekistani dhe Venezuela. Trafiku seksual po shënon rritje në Shtetet e Bashkuara. Në përgjigje të tij po intensifikohen edhe përpjekjet për ta parandaluar problemin dhe për t’u ofruar ndihmë viktimave. Korrespondentja Carolyn Presutti na njeh me disa nga këto programe që po ndihmojnë për trajtimin e këtij problemi në shkallë globale:

Pjesëmarrësit në një session trajnimi janë punonjës të kompanive komerciale të fluturimeve që mësojnë si të dallojnë viktimat e trafikut seksual.

Donna Hubbard, e cila punon si stuardesë dhe ka qenë edhe vetë viktimë e trafikut seksual, është një ndër instrukturët.

“Përpiqem të dalloj nëse fëmijët janë të trembur, në akth, nëse personi me të cilin udhëtojnë duket vërtetë si i afërm i tyre,” thotë Donna.

Shoqata “Airline Ambassadors International” ka trajnuar më shumë se 6 mijë punonjës të shoqërive të fluturimeve në shkallë globale.

Por edhe kur viktimat shpëtohen, rikuperimi kërkon kohë. Disa prej tyre strehohen në shtëpi të përbashkëta si rezidenca e administruar nga programi “Rinia e së Nesërmes” në Virxhinia, ku kostoja mund të arrijë deri në 12 mijë dollarë në muaj. Këtu ish-viktimat e trafikut ndjekin mësime dhe jetojnë me të rinj të tjerë me të kaluar të ngjashme, me të cilët ndajnë dhimbjen.

Në këto programe, të rinjtë mësojnë si të ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme dhe të dallojnë dashurinë e vërtetë. Nëse ndjehen të gatshme, vajzat mësojnë edhe për dashurinë e Zotit.

“Nëse dikush po kalon momente të vështira, nuk është e pazakontë që vajzat të thonë ‘Hajde të lutemi së bashku për këtë problem’,” thotë terapistja Megan Caesar.

Vitin e kaluar programi ndihmoi 37 viktima të trafikut seksual.

Në Uashington, qendra “Shtëpia e Cortney-it” përdor Facebook-un për të bindur një vajzë apo djalë të trafikuar për tregtinë e seksit që të vizitojë qendrën.

Këto viktima, kryesisht mosha 11-15, janë trafikuar përmes llogarive në Instagram, Facebook apo Snapchat. Themeluesja e qendrës, Tina Frundt, e cila edhe vetë ka qenë viktimë e trafikut, thotë se programi i saj shpesh ndeshet me sfida kulturore dhe stigmën e prostitucionit.

“Mamaja mendonte se vajza do të shërohej me një vizitë të vetme në qendër. Mendoj se kjo vjen nga që nuk kanë qendra për trajtimin e traumave në vendin e tyre dhe nuk e kuptojnë psikozën që krijon abuzimi,” thotë Tina.

Trafikimi seksual ka stigmë edhe në Shtetet e Bashkuara, thotë Bill Woolf që punon për programin parandalues Epic Solutions.

Bill Woolf, programi “Epic Solutions”

“Ne nuk e diskutojmë në shkolla këtë problem, nuk e diskutojmë në familje. Pra e shmangim diskutimin mbi këtë temë”.

Organizata Ndërkombëtare e Punës përllogarit se afro pesë milionë njerëz në mbarë botën ishin viktima të trafikut seksual në 2016. Zoti Woolf thotë se hapi i parë drejt parandalimit është duke e diskutuar problemin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG