Lidhje

Urdhri për udhëtimet, Gjykata e Lartë e lë në fuqi pjesërisht


Gjykata e Lartë e SHBA tha se do të shqyrtojë çështjen e urdhrit ekzekutiv të Presidentit Donald Trump për kufizimin e udhëtimeve, duke shtuar se pjesa më e madhe e klauzolave që përbëjnë urdhrin mund të hyjë në fuqi.

Urdhri ekzekutiv i rishikuar i Presidentit Trump, i njohur si ndalimi i udhëtimeve, ndalon për 90 ditë udhëtimet drejt SHBA nga gjashtë vende kryesisht myslimane si dhe për 120 ditë programin për pranimin e refugjatëve. Në urdhër thuhet se këto hapa janë të nevojshme për të rishikuar procedurat e dhënies së vizave, me synimin për mbrojten e vendit nga kërcënimet e jashtme.

Urdhri për ndalimin e udhëtimeve ishte pezulluar nga dy gjykata, njëra në Havai dhe tjetra në Maryland. Vendimet e këtyre dy gjykatave u mbështetën edhe nga apeli.

Por gjykata më e lartë e vendit mori një vendim më të nuancuar, duke e lejuar ndalimin e udhëtarëve nga Libia, Irani, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni si dhe pezullimin e programit për refugjatët.

Megjithatë, Gjykata e Lartë tha se ndalimi i udhëtimeve nuk mund të zbatohet kundër "shtetasve të huaj që kanë një pretendim të besueshëm për një marrëdhënie të mirëfilltë me një person apo entitet në Shtetet e Bashkuara".

Më tej, Gjykata përcakton marrëdhëniet që kualifikohen si të tilla: për individët, një marrëdhënie familjare; Për studentët, pranimi në një kolegj apo universitet; Për punëtorët, një ofertë pune.

Zoti Trump ka thënë se urdhri për udhëtimet do të hyjë në fuqi 72 orë pas vendimit të Gjykatës së Lartë.

Në një deklaratë të bërë të hënën, ai e quajti vendimin e Gjykatës së Lartë "një fitore të qartë".

Presidenti shtoi se vendimi ndihmon në mbrojtjen e vendit. "Si President, - tha ai, - unë nuk mund të lejoj të hyjnë në vend njerëz që duan të na bëjnë dëm. Unë dua njerëz që të mund ta duan Amerikën dhe gjithë qytetarët e saj, njerëz që të jenë punëtorë dhe produktivë".

Anëtarët e Gjykatës së Lartë pritet të dëgjojnë argumentet për këtë çështjen në vjeshtën e këtij viti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG